Arbëri

Kryeprokurori Lumezi në Francë për bashkëpunim kundër terrrorizmit

Prishtinë, 3 nëntor – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Francë, ku ka zhvilluar disa takime me personalitete të rëndësishme të institucioneve të drejtësisë të Shtetit të Francës.

Sipas njoftimit për media nga Kryeprokuroria e vendit, kryeprokurori Lumezi është pritur në takime të ndara nga prokurori i Republikës së Parisit, Francois Molins dhe prokurorja e përgjithshme e Prokurorisë së Apelit në Paris, Catherine Champrenault.

Bëhet e ditur se kryeprokurori Lumezi dhe prokurori i Republikës të Parisit, Molins, gjatë takimit kanë diskutuar për strukturën organizative, kompetencat, rolin dhe funksionimin e kësaj Prokurorie, në veçanti për rastet e terrorizmit.

Gjithashtu, Lumezi dhe Molins kanë diskutuar për rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Francës për të parandaluar dhe luftuar terrorizmin.

Prokurori Molins, shprehu gatishmërinë që t’i jap mbështetje të plotë kryeprokurorit Lumezi, në ndërmarrjen e veprimeve për identifikimin dhe luftimin e veprave penale që ndërlidhen me terrorizmin, që kanë të bëjnë edhe me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.

Po ashtu kryeprokurori Lumezi me Prokuroren e Përgjithshme të Prokurorisë së Apelit të Parisit, Catherine Champrenault, kanë ndarë përvojat e dy institucioneve si dhe janë pajtuar që në të ardhmen të rrisim bashkëpunimin edhe më tutje në mes të Kosovës dhe Francës.