Haradinaj thotë s’ka kërkesë nga Surinami për tërheqjen e njohjes

Haradinaj thotë s’ka kërkesë nga Surinami për tërheqjen e njohjes

02 nëntor 2017 15:33

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova nuk ka pranuar ende ndonjë dokument për tërheqjen e njohjes nga Surinami, ndërsa e pranon se ka një vështirësi në marrëdhënien e krijuar paraprakisht me këtë shtet të Amerikës Jugore.

Haradinaj ka thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

“Surinami, ne jemi të interesuar me zhvilluar marrëdhënie të mira me çdo shtet, i madh apo i vogël. Jemi të interesuar me tejkaluar çdo vështirësi për këto marrëdhënie, sepse mund të ketë vështirësi ndonjë herë, kanë edhe shtetet që janë anëtare të OKB-së për marrëdhëniet njëra me tjetrën, nuk bënë përjashtim as Kosova. Ajo që më bëri përshtypje dje ishte deklarata e ambasadorit amerikan Greg Delawie, që tha: “Pavarësia është e pa kthyeshme dhe I ftoj shtet me njohur Kosovën”, andaj, ne qëndrojmë në këtë drejtim, nuk e komentoj, është mendim i një shteti tjetër(Serbisë), nuk e komentoj atë. Me hyrë në këso shpjegimesh nuk e shoh të arsyeshme, ajo që e dimi ne, ka një vështirësi në marrëdhënien e krijuar paraprakisht. Mirëpo, epilogun e saj do ta kemi me kohë, edhe formal, por Kosova ende s’ka pranuar ndonjë dokument”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj pas takimit me ministren e MMPH-së, Albena Reshitaj, tha se kjo ministri ka në përgjegjësinë e saj hartimin e legjislacionit për resorët veç e veç, për mjedis, ujëra, planifikim hapësinor, ndërtim e banim e deri te shpronësimet, dhe mbi të gjitha, sipas tij, menaxhimin në mënyrë efikase.

Haradinaj ka kërkuar nga ministrja Reshitaj që të zbatojë edhe agjendën evropiane të njohura si ERA.

Ndërsa, ministrja Reshitaj tha se me kryeministrin Haradinaj janë dakorduar që mbrojtja e mjedisit të jetë prioritet i qeverisë për trajtimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me këtë ministri.

“U dakorduam që mjedisi dhe mbrojta e tij të jenë një nga prioritet e rëndësishme të kësaj Qeverie, duke u nisur nga menaxhimi i mbeturinave, nga trajtimi I lumenjve dhe rehabilitimi i tyre, trajtimi I ujërave në theks të veçantë, trajtimi I ujërave të zeza, ngritja e cilësisë së ajrit, krijimi I hapësirave të gjelbra, planifikimit hapësinor dhe të gjitha këto duke respektuar zbatimin e plotë të kornizës ligjore që lidhet me këtë ministri”, deklaroi ministrja Reshitaj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme