Arbëri

Opozita braktis Komisionin për MSA, nuk shkon as në Strasburg

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asoocim, Kosovë - BE, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje e kanë lëshuar mbledhjen e këtij komisioni pasi që nuk janë pajtuar me emërimin e Xhavit Halitit si kryesues i këtij takim dhe me mospajtimin e tyre që ta shtyjnë datën e takimit.

Takimi në Strasburg është paraparë që të mbahet më 16 dhe 17 nëntor në Strasburg.

Anëtarët e LDK-së dhe VV-së kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në takimin e Strasburgut ndërsa Komisioni ka vazhduar mbledhjen pa opozitën duke i caktuar temat që do të diskutohen në Strasburg.

Anëtarja e këtij Komisioni, nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu , ka treguar arsyen pse e kanë lëshuar mbledhjen e sotme duke thënë se janë të papranueshme sjellja e pozitës në raport me anëtarët e opozitës dhe refuzimin e kërkesave të tyre.

“Ne si opozitë kishim dy kërkesa. E para që të vendos Kryesia e Kuvendit për përbërjen dhe kryesimin e Komisionit për MSA-së. Dhe po ashtu që vizita e planifikuar me datë 16-17-të të shtyhet pas zgjedhjeve. Të dyja këto u refuzuan nga kryesuesi i vet caktuar Xhavit Haliti, i cili në mënyra arbitrare po vepron karshi punëve që i kemi si Komision për MSA. Për neve është e pa pranueshëm shkelja e rregullores se Kuvendit. Për shkak se këta njerëz po vazhdojnë me të vjetrën . Thuajse gjithçka që është në Kuvend ju takon atyre. Kështu po vendosin edhe për Komisionin për Këshillin e Evropës, Komisionin për NATO-në ,kështu njëjte po veprojnë edhe për Komisionin për MSA-në. Për ne është e papranueshme kjo qasje . Është shkelje e rregullores, është arbitraritet dhe sigurisht që ne nuk mund të veprojmë , nuk mund të bashkëpunojmë me një njeri të tillë dhe në një Komision i cili bën përpjekje maksimale që ta mbyt zërin e opozitës”, tha Haxhiu.

Ajo është shprehur e bindur se kjo qasje e pozitës do të pranohet në Strasburg . Po ashtu ka bërë të ditur se shqetësimet që i kanë lidhur me Komisionin do t’i përcjellin edhe atje.

“Unë jam e bindur që kësisoj nuk do t’iu shkoj gjatë. Për faktin se edhe në Strasburg nuk jam e bindur që qasja e tyre do të pranohet. Ne shqetësimet tona do t’ia përcjellim edhe përfaqësuesit të delegacionit atje. Për faktin se kjo çka po ndodh në Kuvendin e Kosovës për neve është e pa pranueshme dhe kjo njëra prej arsyeve kryesore sepse ne refuzojmë të jemi pjesë e këtij Komisioni që është uzurpuar nga Xhavit Halitin.... Ky Komision duhet të vlej me rregullat e Komisioneve parlamentare ato ‘ad-hoc’ që zgjidhen nga Kuvendi dhe Kryesia dhe jo që sipas tekeve të individëve përbrenda Kryesisë së Kuvendit përfshirë , kryetarin e Kuvendit që në vazhdimësi shkel rregulloren”, tha Haxhiu.

Ndërsa, Xhavit Haliti, kryesues i Komisionit për MSA, ka thënë se do të merren parasysh kërkesat e tyre, por ka përjashtuar mundësinë e shtyrjes së datës së mbajtjes së takimit të Strasburg.

“Sot patëm takimin e parë të Komisionit për Stabilizim Asoocim . Qëllimi i takimit ishte që të përgatitemi për të shkuar në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për MSA në Kosovë që është Komision i përbashkët me Parlamentin Evropian. Për shkak të zgjedhjeve ne jemi të vonuar në konstituimin e këtij Komisioni. Dhe tani grupet parlamentare kanë sjell i kanë propozua kandidatët e tyre siç e patë opozita kishte një vërejtje të arsyeshme po besoj, ashtu siç ishte dhe siç është i arsyeshme edhe vendimi i kryetarit të Kuvendit që të përshpejtojmë përgatitjen për takimin. Dhe ata kërkuan që ne të marrim ta shqyrtojmë edhe një herë në Kryesi është kërkesë e tyre. Ne do ta shqyrtojmë me kryetarin dhe me Kryesinë këtë çështje. Po unë po besoj që opozita do të vij në takimin e ardhshëm dhe do të vij edhe në Strazburg....Po nuk është faktor opozita me shty takimin e Komisionit për MSA BE-Kosovë , kur ky takim është caktuar 6 muaj përpara. “, tha Haliti.

Ai ka thënë se anëtarët e Komisionit mund edhe të mos shkojnë por kjo do të sjelltë dëme për vendin.

“Ne mund të mos shkojmë se ata nuk na bëjnë ndonjë dëme personal por i dëmtojmë interesat e Kosovës. Së dyti ne secili anëtar i këtij Komisioni kemi nga një anëtar zëvendësues. Në qoftë se dikush nga anëtaret e grupeve parlamentare të cilët janë tani anëtar të Komisionit të MSA-së nuk mundet me ardhur ai e ka zëvendësuesin të cilin mund ta dërgoj. Dhe kompetencat të zëvendësuesit në këtë Komision janë të plota në votim në diskutim me anëtarin e përhershëm”, tha Haliti.

Në të njëjtën kohë, Komisioni parlamentar i MSA-s, pa praninë e opozitës e ka vazhduar mbledhjen duke i caktuar temat që do të diskutohen në Strasburg.