“Njohja e Kosovës nuk është e pakthyeshme”

“Njohja e Kosovës nuk është e pakthyeshme”

02 nëntor 2017 13:45

Pranimi i shteteve sipas të Drejtës Ndërkombëtare paraqet një akt politik dhe si i tillë nuk ka edhe ndonjë ndalesë për tërheqjen e njohjes, thotë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve me seli në Londër.

Komentet e tij, pasojnë deklaratat e shefit të diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, sipas të cilit, Republika e Surinamit ka tërhequr vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.

Institucionet e Kosovës, thonë se nuk kanë marrë asnjë informatë zyrtare nga Surinami, dhe potencojnë se në të Drejtën Ndërkombëtare nuk njihet praktika e tërheqjes së njohjes, por sipas Qeverisë së Kosovës, mund të ekzistojë vetëm ngritja e raporteve mes shteteve.

Në lidhje me këtë, Mark Ellis ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në të Drejtën Ndërkombëtare ekzistojnë dy teori kryesore rreth njohjes së shteteve – ajo konstituive dhe teoria deklarative.

Sipas teorisë konstituive, sqaron Ellis, njohja nga shtetet e tjera është kriter për vetë shtetësinë.

“Një shtet konsiderohet shtet vetëm kur njihet si i tillë nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të tjera. Shtetet kanë diskrecion nëse do të njohin apo jo një shtet të ri. Për më tepër, vetëm me njohjen nga shtetet e tjera bën që shteti i ri të ekzistojë, të paktën në kuptimin juridik”, ka thënë ai.

Kurse përmes teorisë deklarative, nënvizon ai, thjesht vlerësohet nëse shteti përmbush kriteret objektive për shtetësi. Sipas kësaj teorie, njohja nga shtetet e tjera (siç është edhe tek teoria konstituive) është e parëndësishme për statusin e shtetësisë.

Ai rikujton Nenin numër një të Konventës së Montevideos, ku përcaktohen katër kritere për shtetësinë, të cilat janë të pranuara nga organizatat ndërkombëtare si deklaratë e saktë e të drejtës zakonore ndërkombëtare.

Shteti si pjesë e të Drejtës Ndërkombëtare duhet të posedojë këto kualifikime: popullsi të përhershme, një territor të përcaktuar Qeveri dhe kapacitetin për të hyrë në marrëdhënie me shtetet tjera.

“Në përgjithësi, në bazë të teorisë deklarative, njohja e një shteti, sipas të Drejtës Ndërkombëtare paraqet një akt politik, ndryshe nga ai ligjor. Prandaj, nuk ka asnjë detyrim në të Drejtën Ndërkombëtare për të njohur shtetin ose të drejtën e shtetit për t'u njohur”, thekson Ellsi.

Ngjashëm, thotë ai, edhe tërheqja e njohjes është një akt politik, dhe si i tillë, nuk ka ndalim të përgjithshëm ose detyrim rreth tërheqjes së njohjes së ndonjë shteti të pranuar paraprakisht, siç është rasti me Republikën e Surinamit.

“Prandaj, mendoj se është e vështirë që Kosova ta vërtetojë apo dëshmojë se njohja e shtetit është përgjithmonë e parevokueshme", thotë Ellis.

Ekziston edhe një argument tjetër te çështja e njohjeve, thotë Ellis, e që lidhet me traktatin e Vjenës.

“Në këtë skenar thuhet se veprimet e njëanshme, siç është njohja e shtetësisë, nuk janë të modifikuara, përveç nëse ka një ndryshim të rëndësishëm në rrethanat, siç është zhbërja e një shteti, siç ishte rasti me Jugosllavinë. Sidoqoftë, unë nuk jam mbështetës i këtij argumenti”, thotë Ellis.

Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar nga Republika e Surinamit, nëse ky vend e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tash as nga Qeveria e Surinamit, përderisa i vetmi që ka deklaruar këtë “tërheqje të njohjes”, është shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Duke mos u ndërlidhur vetëm me rastin e Surinamit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie u ka bërë thirrje shteteve që ta njohin Kosovën.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”, ka deklaruar Delawie, për Radion Evropa e Lirë.

Surinami e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 8 qershor, 2016. Ky vend ndodhet në Amerikën Jugore, me sipërfaqe prej 163.820 kilometrash katrorë dhe ka mbi 550 mijë banorë.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur 114 shtete.

Image

 

Komentet

Shto koment

Të ngjashme