Publikohet raporti për lirinë dhe sigurinë e gazetarëve, Avokati i Popullit rekomandon Qeverinë të ndërmarrë masa

Publikohet raporti për lirinë dhe sigurinë e gazetarëve, Avokati i Popullit rekomandon Qeverinë të ndërmarrë masa

02 nëntor 2017 13:10

Sot u shënua Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mos ndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, Avokati i Popullit ka lansuar Raportin Ex Officio përkitazi me lirinë e shprehjes (medieve) dhe sigurinë e gazetarëve, i cili u është përcjellë, po ashtu, autoriteve përgjegjëse.

Ky raport është iniciuar si përgjigje ndaj shqetësimeve mbi cenimin e lirisë së shprehjes, me qëllim trajtimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve, me theks të veçantë, sigurinë e gazetarëve në përmbushjen e misionit që kanë.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen për domosdoshmërinë e sigurisë së gazetarëve dhe efikasitetit të organeve të drejtësisë në ndëshkimin dhe parandalimin e çdo forme të cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit, si parakushte të ndërtimit të një shoqërie demokratike.

Në Raport theksohet kompleksiteti i vendosjes së ekuilibrit midis lirisë së shprehjes, si e drejtë fundamentale në çdo shoqëri demokratike dhe përcaktimi i kufijve të saj në raport me të drejtat e tjera. Po ashtu, Raporti vë në fokus rastet e sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, që kanë ndodhur së fundmi, si dhe shpreh shqetësimin e Avokatit të Popullit për joefikasitetin e organeve të rendit dhe të drejtësisë.

Avokati i Popullit, tërheq vërejtjen mbi nevojën që edhe në Kosovë të avancohet aspekti legjislativ, të ndërtohet një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse që garanton mbrojtje të mjaftueshme për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, të ketë koordinim ndërmjet policisë dhe prokurorit të shtetit, si dhe trajtim me prioritet nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor për veprat e kryera kundër gazetarëve , mbi bazën e parimit të efikasitetit.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNJ), Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (PNDCP), Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), Karta e të Drejtave Themelore në Bashkimin Evropian, si dhe Traktati i Lisbonës, kanë vendosur standardet më të larta me karakter të gjerë të garantimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë e pluralizmit të mediave.

Në frymën e këtyre dokumenteve është edhe Kushtetua e Republikës së Kosovës, e cila, në nenin 40 garanton lirinë e shprehjes, ndërkaq në nenin 42, garanton lirinë dhe pluralizmin e mediave, përderisa në nenin 41 garantohet e drejta e qasjes në dokumente publike, si komponentë thelbësore e realizimit të lirisë së shprehjes dhe të mediave Në këto dispozita kushtetuese saktësohet se kufizimi i këtyre të drejtave mund të justifikohet vetëm për rrethana të caktuara dhe të kufizohet me ligj.

Raporti tërheq vëmendjen tek standardet e ndërtuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), në harmoni me vendimet e së cilës interpretohen të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e vendit tonë.

Avokati i Popullit, rithekson se është detyrim i veçantë i shtetit që të garantojë në mënyrë efikase sigurinë e gazetarëve, si një nga standardet kryesore të demokracisë. Në këtë kuptim, Avokati i Popullit i referohet edhe Rezolutës së OKB-së Nr. 68/163 mbi sigurinë e gazetarëve dhe çështjen e mosndëshkimit, e miratuar në vitin 2013, si dhe Rekomandimit të vitit 2016 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Ministrave përkitazi me mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve dhe akterëve të tjerë të medieve.

Avokati i Popullit rikujton se liria e shtypit është faktor kyç për vendet që punojnë për anëtarësim në BE dhe agjenda e Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE është e lidhur ngushtë me plotësimin e standardeve për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve.

Raporti i publikuar sot trajton gjerësisht vështirësinë e marrjes së vendimeve në praktikën gjyqësore, ku kërkohet një qasje shumë e kujdesshme, interpretim i thellë dhe sistematik për të përcaktuar kufijtë e saj. Avokati i Popullit, thekson nevojën për një vëmendje të veçantë të ligjvënësit në Kosovë që çdo kufizim i lirisë së shprehjes të bëhet mbi frymën dokumenteve relevante të pranuara ndërkombëtarisht:

Në Raport rikujtohet se legjislacioni pozitiv në Kosovë, përveç afirmimit të lirisë së shprehjes, përmban edhe dispozita mbi kufizimin e saj, të përcaktuar qartësisht me ligj. Kjo përbën garanci që asnjë kufizim i lirisë së shprehjes nuk është diskrecion i organeve shtetërore apo gjykatës. Kufizimet tjera konsistojnë në kufizimin e lirisë së shprehjes me qëllim të shmangies së gjuhës së urrejtjes, nxitjes së dhunës, gjuhës diskriminuese, fyese dhe shpifjes. Shpifjen dhe fyerjen, ligjvënësi në Kosovë i ka dekriminalizuar dhe për to ka përcaktuar vetëm përgjegjësi civile.

Nëpërmjet këtij Raporti, Avokati i Popullit i rekomandon Qeverisë e Republikës së Kosovës, që në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrë masat e nevojshme që të sigurojë transparencë të vazhdueshme në funksion të llogaridhënies publike dhe lirisë së shprehjes, si bazë e zhvillimit të demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriu. Po ashtu, t’u referohet e t’i zbatoj rekomandimet e organizatave ndërkombëtare në lidhje me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe të kujdeset që legjislacioni që garanton lirinë e shprehjes, mediave dhe në veçanti sigurinë e gazetarëve të avancohet, në harmoni të plotë me dokumentet ndërkombëtare dhe standardet e ndërtuara nga GJEDNJ.

Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Avokati i Popullit u rekomandon që rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet dhe të zgjidhen në mënyrë efektive nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë, si dhe të ketë një koordinim të duhur të prokurorit të shtetit me policinë, dhe shfrytëzim efikas i të gjitha mjeteve ligjore për hetimin e këtyre veprave. Gjykatat në rastet e vendosjes për lirinë e shprehjes të bazohen në standardet e ndërtuara nga praktika GJEDNJ si burim primar, dhe në të gjitha rastet kur provohet fajësia e të pandehurve të shqiptohet dënimi meritor, duke zbatuar një politikë parandaluese me përdorimin e masave ndëshkimore të përshtatshme për arritjen e qëllimit të dënimit.

Ndërkaq, Policisë së Kosovës, Avokati i Popullit i rekomandon të ndërhyjë me prioritet në rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve, si masë parandaluese për degradimin e situatave nga kërcënimet verbale në sulme fizike.

Raporti përkitazi me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve në formatin e tij të plotë, është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme