Arbëri

Ministrja Reshitaj paralajmëron krijimin e “policisë” për mbrojtjen e ambientit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, deklaroi se ka prioritet që punët që bëhen në kuadër të kompetencave që i ka Ministria e Mjedisit të arrihen me standardet e Bashkimit Evropian (BE).

“Mbrojtja e shëndetit është sfidë globale, normalisht se në vendet që janë në zhvillim është sfidë më e madhe. Është bërë punë deri më tani, por ka vend që të ndërrohet kjo qasje”, i tha ajo sot RTK-së.

Sipas saj në prioritetet e saj janë shumë projekte, si menaxhimi i mbeturinave, ulja e ndotjes së ajrit, etj.

“Kur jemi tek mjedisi, do të shtojmë hapësirat e gjelbra, do të punojmë që të kemi “policë të gjelbër”, që të kemi në ruajtjen e ambienteve. Kemi pasur kontakte me MBP dhe besojë se do të kemi këtë njësi”, tha ajo.

Reshitaj bëri me dije se ndotja e ajrit është një problem shumë i madh për Kosovën. “Qytetarët e Kosovës duhet të dinë se ne do të bëjmë të pamundurën të ndikojmë që të ulim ndotjen. Do të marrim hapa konkretë”, tha ajo.

Sipas saj një punë po bëhet të ketë vetëdijesim për mbrojtjen e ambientit. “Ka ndotje nga fabrikat e mëdha, makinat, e shumë faktorë të tjerë”, tha Reshitaj .

Ajo tha se kanë qëllim të ulin ndotjen. "Të gjitha makinat nuk do të mund të regjistrohen nëse nuk iu ndërrohet filteri i gazit", tha ajo.