Kosova ka mungesë të një politike proaktive kundruall Serbisë

Kosova ka mungesë të një politike proaktive kundruall Serbisë

02 nëntor 2017 12:51

Serbia ka formuar grupin punues për ofrimin e mbështetjes për dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, dialog ky i iniciuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, Kosova nuk duhet ta neglizhojë këtë organizim të brendshëm të Serbisë, por të zhvillojë një politikë më reaktive e jo të reagojë pasi të merret një vendim në Serbi.

Shteti serb ka filluar dialogun e brendshëm për Kosovën, për ta forcuar palën serbe karshi dialogut me Kosovën. Udhëheqësi i këtij grupi, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se qëllimi i tyre është që të ndihmojnë shtetin e Serbisë në forcimin e kapaciteteve institucionale për t’u marrë me çështjen e Kosovës.

Por ky organizim, sipas njohësve të çështjeve politike në Kosovë, duhet ta bëjë më përgjegjëse Kosovën në këtë proces. Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, tha për Radio Kosovën se vendi ynë në vazhdimësi duhet të jetë i përgjegjshëm për detyrat që ka, dhe për asnjë moment të mos i neglizhojnë planet që paraqet Serbia:

"Autoritetet kosovare duhet të jenë të vetëdijshme se serbët në asnjë moment nuk do të ndalen duke paraqitur platformë, qoftë në nivelin kombëtar, qoftë në atë ndërkombëtar. Mendoj që politika kosovare duhet të jetë e vetëdijshme, duhet të jetë përgjegjëse dhe duhet të jetë e gatshme t’i përgjigjet secilës sfidë", tha ai.

Kurse politologu Ramush Tahiri duke folur për këtë çështje, i tha Radio Kosovës se Kosova ka mungesë të një politike proaktive, pasi gjithmonë pret të reagojë pas ndonjë vendimi në Serbi:

"Duket se Kosova ka mbetur si zakonisht mbrapa dhe ka politikë reaktive. Reagon pasi të merret një qëndrim në Serbi, nuk ka politikë proaktive apo parandaluese, dhe tash edhe në skenën politike dhe në opinionin publik në Kosovë po pritet se çfarë do të thotë Serbia dhe cili është opsioni i saj e mandej Kosova të reagojë. Kjo nuk është në rregull, por në Kosovë jemi në nivel të para-politikës jo të politikës shtetërore, edhe demarkacioni edhe zënkat partiake e dëshmojnë këtë punë se Kosova nuk ka mbërri në fazën e shtetit stabil dhe të qëndrueshëm, i cili ka politikë shtetërore e jo politikë të hijeve partiake", tha ai.

Ndërkohë, sipas presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Serbia pritet të ofrojë një platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe më së largu në mars të vitit të ardhshëm, që, sipas tij, zgjidhja nuk është “as në mitet dhe konfliktet”, por “as në heqjen dorë nga interesat nacionale.”

Komentet

Shto koment

Të ngjashme