Arbëri

Japonia ndihmon Kosovën me 4 milionë dollarë për kontrollin e ndotjes së ajrit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, priti në takim përfaqësuesit e Agjencionit Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), të udhëhequr nga Taizo Yamada, të cilët i falënderoi për miratimin e “Projektit të zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”.

Reshitaj falënderoi shtetin Japonez, dhe në veçanti JICA-n për mbështetjen dhënë Kosovës dhe Ministrisë në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, dhe tash së fundi edhe për miratimin e projektit të zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë, projekt ky që do të këtë impakt mjaft pozitiv në ngritjen e cilësisë së ajrit në vend, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Si Ministri jemi duke u angazhuar në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve konkrete që do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit, në bashkëpunim edhe me akterët tjerë ndërlidhës institucional vendor dhe donatoret ndërkombëtar”, shtoj ndër të tjera Reshitaj, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë ka të bëjë me rehabilitimin e stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit që përfshinë: Përcjelljen e matjeve të cilësisë e ajrit, analizat laboratorike, trajnimin e stafit për mirëmbajtjen e stacioneve për monitorim të cilësisë së ajrit dhe kalibrimin e instrumenteve, matjen e emisioneve në impiantet me djegie të madhe, përpunimin e rezultateve të fituara nga matjet, vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në TC Kosova A dhe TC Kosova B.

Komuna e Prishtinës do të jetë pilot projekt, ku do të bëhet vlerësimi i ndotjes së ajrit nga burimet e veçanta, duke përfshirë transportin, amvisërinë, shërbimet publike dhe industrinë. Po ashtu do të rishikohet rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit, mundësia për pajisje edhe me ndonjë stacion tjetër të cilësisë së ajrit dhe vendosja e monitorit në kryeqytet për t’u informuar edhe qytetarët me gjendjen reale të cilësisë së ajrit në vend.