KPK nuk e diskuton pezullimin e Lumezit

KPK nuk e diskuton pezullimin e Lumezit

01 nëntor 2017 17:28

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime ndaj pretendimeve të ngritura se kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka të falsifikuar provimin e jurisprudencës.

Isufaj tha pas mbledhjes së KPK-së, se ata tani nuk mund të thonë asgjë derisa të mos e kenë raportin përfundimtar, pasi në të kundërtën do të paragjykonin.

Sipas tij, hetimet janë duke u bërë në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe pa ndikime nga askush.

“Ju garantoj pa asnjë dyshim se do të trajtohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne, këtë çështje e kemi dhe e trajtojmë me seriozitetin me të madh. Të jeni të sigurt që kur të kemi një raport përfundimtar do të prononcohemi zyrtarisht. Unë kam reaguar në emër të Këshillit, është shumë normale të reagohet, sepse e kam thënë dhe e përsëris, ne aktualisht i kemi të gjitha ato që i posedojmë duke filluar prej procesit të fillimit kur ka filluar rekrutimi e deri të rekrutimi i fundit 2009-2010. Pastaj edhe këto tjerat kur është bërë edhe eprorë i të gjitha instancave. Aktualisht ne posedojmë këtë fakt dhe mbi bazën e kësaj kemi thënë, hetimet janë duke u bërë, ne si Këshill pavarësisht kush, edhe Këshilli do ta ketë rolin e vet dhe do të jetë shumë serioz në këtë çështje. Dalim me raport përfundimtar, krejt çka themi tash mund të paragjykojmë, nuk është mirë të paragjykojmë, le ta lëmë punën ta bëjnë organet kompetente”, tha Isufaj, raporton KP.

Isufaj ka thënë se hetimet do të zhvillohen në mënyrë të pavarur “pasi vetë Lumezi ka bërë thirrje për hetim”. Ai ka shtuar se KPK-ja nuk ka diskutuar për pezullimin ose jo të Lumezit, deri në përfundimin e hetimeve.

“Si do të garantohet më mirë se sa vet kryeprokurori Lumezi ka bërë apel të gjithëve që të hetojnë. Këshilli nuk e ka diskutuar çështjen e pezullimit, por i ka diskutuar shumë pretendimet që janë ngritur dhe do të diskutohet dhe do të ketë raport përfundimtar, kur ta kemi raportin bisedojmë. Hetimi do të jetë i pavarur, nuk e di qysh mund të ketë hetim të pavarur se sa thirrja publike, urdhëroni kush doni hetojeni, edhe ne e bëjmë punën tonë si Këshill”, ka shtuar ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme