Arbëri

Të gjitha që u thanë sot rreth (mos)tërheqjes së njohjes nga Surinami

Dilema të shumta janë ngritur lidhur me tërheqjen ose jo të njohës së Kosovës nga ana e Republikës së Surinamit, raporton KTV .

Në notën e publikuar sot nga mediat, Qeveria e Surinamit ka marrë vendim për revokimin e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Misioni i përhershëm i Republikës së Surinamit në Kombet e Bashkuara përshëndet misionin e përhershëm të Republikës së Serbisë në Kombet e Bashkuara dhe i përgjigjet formalisht kërkesës së Serbisë të korrikut të vitit 2016. Qeveria e Republikës së Surinamit ka nderin të paraqesë vendimin për revokimin e njohjes së Kosovës dhe Metohisë si shtet i pavarur dhe sovran nga 27 tetori 2017.”

Në këtë notë dërguar Serbisë, Surinami thekson se e ka njoftuar edhe Kosovën lidhur me këtë vendim me datën 30 tetor.

Por Ministria e Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se ende nuk ka pranuar një dokument lidhur me tërheqjen nga njohja të shtetit të Kosovës nga ana e Republikës së Surinamit.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për interesimin e jashtëzakonshëm, përpjekjet e fuqishme dhe qëllimet malinje që ka shteti fqinj Serbia përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Ndërkaq, këshilltari politik i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi, ka thënë se një tërheqje e tillë nuk ekziston sipas së Drejtës Ndërkombëtare.

“Raportet me shtetin e Surinamit janë të mira dhe nuk ka tërheqje të njohjes ashtu siç pretendohet. Në të Drejtën Ndërkombëtare nuk ekziston ç’njohja apo tërheqja e njohjes. Mund të ekzistojë ngrirja e marrëdhënieve, përkatësisht tërheqja e stafit diplomatik, për çfarë Surinami nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike, dhe ky është spekulim mediatik”.

Ishin mediat serbe ato të cilat raportuan se Republika e Surinamit e kishte informuar Serbinë se e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.