Arbëri

Kur Lumezi thoshte se s’e kishte të dhënë Provimin e Jurisprudencës

Në shtatorin e vitit 1999, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner, krijoi Komisionin Këshillëdhënës Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, në përbërje të të cilit ishin 11 persona, 7 vendorë dhe 4 ndërkombëtarë.

Misioni i këtij komisioni ishte themelimi i Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Kosovë.

Riza Smaka, kryesues i tij, dhe anëtarët Adil Fetahu, Shaban Kajtazi, Tadej Rodiqi, Rexhep Murati, Ragip Halili dhe Bajram Krasniqi nisën punën e gjetjes së njerëzve adekuat në 7 regjione të Kosovës.

Bazuar në deklaratat e disa prej anëtarëve, më 1 janar të vitit 2000 nisën punën prokurorët dhe gjyqtarët e parë në Kosovë.

Kryetari i këtij Komisioni, Riza Smaka, thotë se konkurrent për prokuror në grupin e parë ishte edhe Aleksandër Lumezi.

Lumezi u refuzua pikërisht për provimin e jurisprudencës, jo që u dyshua për vërtetësi, por meqë vetë kishte deklaruar se nuk e kishte të dhënë atë.

Shaban Kajtazi ishte pjesë e këtij këshilli.

Ai përmend kushtet strikte që kishin vendosur për përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Thotë se nuk e mban mend rastin e Lumezit, sepse nuk ka qenë pjesë e grupit të tij për intervistim.

Vetë Lumezi në biografinë e tij thotë se u bë pjesë e sistemit prokurorial të Kosovës në shtatorin e vitit 2000.