Arbëri

Përkrahja e Norvegjisë për agjendën evropiane, e mirëseardhur për Kosovën

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, dhe me këtë rast diskutoi për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit, përkrahjen e këtij vendi mik në drejtim të dinamizmit të procesit integrues të Republikës së Kosovës.

Shtetet mike kanë mbështetur vendin tonë në shumë fusha që i kontribuojnë realizimit të agjendës evropiane, theksoi ministrja Hoxha, në mesin e tyre, përkrahja norvegjeze ishte shumë e mirëpritur.

“Komponentët e veçantë të procesit integrues si zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe energjetika, janë fusha që Mbretëria e Norvegjisë i ka mbështetur fuqishëm. Konsiderojmë se këto fusha i kontribuojnë plotësimit të kushteve brenda këtij procesi. Me ambasadorin u pajtuam se procesi do dinamizuar dhe ndjehem e lumtur që për këtë mora përkrahje të duhur”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha, duke mirëpritur përkrahjen për agjendën evropiane.

Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad, theksoi se Kosova do ta ketë përkrahjen në të gjitha aspektet e integrimit, qoftë në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, qoftë në procesin integrues.

Kontributi i taksapaguesve norvegjez, për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës është e çmueshme, është dhënë kontribut dhe përkrahje nga ky vend mik për liberalizimin e vizave.