Arbëri

Nuk fitoi në Pejë, bëhet zëvendësministër i Financave

Fatmir Gashi, ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, është emëruar zëvendësministër i Financave në Qeverinë e Kosovës.

Gashi, i cili nuk arriti të marrë më shumë se 31.97 për qind në garën e 22 tetorit dhe u mposht qysh në raundin e parë nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së, e konfirmoi lajmin përmes një postimi në Facebook.

“Miq të nderuar, qytetarë të Pejës dhe të Kosovës, struktura, anëtarë dhe simpatizantë të AAK-së, ju njoftojë se sot, me vendim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Ramush Haradinaj, jam emëruar zv/Ministër i Ministrisë së Financave i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Vendimin e kam pranuar pasdite vonë nga Kryeministri z.Ramush Haradinaj, ndërsa nga mëngjesi do të fillojmë punën bashkë me ministrin z.Bedri Hamza”, ka shkruar ai.

Gashi ka theksuar se “Peja po kthehet në hartën e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është e qartë se pavarësisht gojëkëqijve, Qeveria Haradinaj çdo ditë po e kthen vëmendjen nga Peja”.