Arbëri

Haradinaj e Lunaçek pajtohen se Kosova ka perspektivë evropiane

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim lamtumirës raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek.

Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, Haradinaj e vlerësoi punën dhe angazhimin e Lunaçekut dhe mbështetjen e saj të parezervë për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe në institucionin e BE-së.

Në njoftim theksohet se Haradinaj dhe Lunaçek folën edhe për proceset integruese të Kosovës dhe reformat e nevojshme që çojnë drejt anëtarësimit në BE.

Haradinaj tha se Agjenda e Reformës Evropiane dhe Marrëveshja e Stabilizimit Asociimit po zbatohen me një dinamikë të përshpejtuar dhe tha se po bëhen reforma të thella në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe në fushat e tjera, sipas njoftimit.

I pari i qeverisë deklaroi se perspektiva evropiane për Kosovën është e paalternativë dhe ajo po bën të gjitha përpjekjet që ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit të ardhshëm. Ai tha se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja kontraktuale me BE-në në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Në njoftim thuhet se Lunaçek e përgëzoi Haradinajn për dinamikën e re qeverisëse dhe për angazhimin e tij personal në zbatimin e MSA-së dhe reformave në vend. Ajo tha se Kosova ka perspektivë evropiane dhe vlerësoi se duhet të përmbushë obligimet e marra me marrëveshjen kontraktuale me BE-në.