Arbëri

Vetëvendosje kërkon zbardhjen e rastit të vdekjes së Astrit Deharit

Lëvizja Vetëvendosje kërkon zbardhjen e rastit për vdekjen e Astrit Deharit dhe lirimin e plotë katër aktivistëve që po ballafaqohen me akuzat për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës, duke i vënë para drejtësisë gjithë ata që morën pjesë në këtë inskenim.

Kështu kanë deklaruar zyrtarë të këtij subjekti përmes një konference për media, ku gjithë procesin e kanë emëruar montim politik ndaj VV-së.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se është vërtetuar se të gjitha pretendimet e Prokurorisë kanë qenë të paqëndrueshme, të montueshme dhe dëshmojnë për pafajësinë e aktivistëve të këtij subjekti.

Ajo e quajti gjithë procesin montim politik dhe shpërfaqje të pushtetit të asaj kohe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa theksoi se prokurorit, Abdurrahim Islami i janë dashur një vit e gjysmë që të pranojë tërthorazi se provat e marra në vendin e ngjarjes dhe ADN-ja nuk i lidhin aktivistët me rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, ku sipas saj, gjithë aktakuzat janë ngritur mbi këto dy pretendime, transmeton kp.

“Gjatë procesit gjyqësor, secili prej dëshmitarëve ka treguar se si policia ka ushtruar trysni mbi ta dhe se deklaratat e tyre janë shkruar ndryshe nga ajo që kanë thënë, pra janë ndryshuar nga policia. Ndërsa sa i përket ADN-ve është vërtetuar edhe nga forenzika që gjurmët që gjenden aty nuk përputhen me ato të aktivistëve tanë. Si dhe raporti i FBI, është vërtetuar se në incizimet e ofruara nga prokuroria nuk ka asnjë lidhshmëri në mes të akuzuarve dhe incizimeve nga vendi i ngjarjeve. Pra, secili pretendim i prokurorisë është dëshmuar se ka qenë i paqëndrueshëm, i montuar dhe dëshmon për pafajësinë e aktivistëve tanë... Sikur atëherë, po ashtu edhe tani na lind e drejta të besojmë se e gjithë kjo ka qenë një montim politik kundër Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ajo.

Deputetja Haxhiu ka kërkuar liri të plotë për aktivistët e VV-së dhe drejtësi për aktivistin e ndjerë, Astrit Dehari.

Sipas deputetit të VV-së, Sami Kurteshi, e gjithë rrjedha e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës është një inskenim dhe se të gjithë ata që kanë bartur ndonjë funksion në këtë proces duhet të dalin para drejtësisë.

Kurteshi: Të dalin para drejtësisë ata që inskenuan rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës

“Ne kërkojmë që ky rast të vihet në binarët e duhur dhe të kërkohet që të gjenden fajtorët e vërtet të sulmit mbi Kuvendin e Kosovës. Të gjenden personat e involvuar në inskenimin e rastit të burgosjes së aktivistëve të VV-së, të gjenden të gjithë personat sipas radhitjes hierarkike që kanë dorë dhe janë përgjegjës për vrasjen, vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit në qendrën e burgimit. Ne si Lëvizje Vetëvendosje do të kërkojmë që këtij rasti t’i shkohet deri në fund me të gjitha mënyrat e lejuara ligjore dhe demokratike që janë të lejuara në Republikën e Kosovës. Të gjithë ata persona që kanë bartur funksione dhe kanë inskenuar rastin dhe kanë dorë në të gjitha këto të pabëra, ata duhet të dalin para drejtësisë. Kjo është kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e familjes Dehari”, tha ai.

Ai theksoi se refuzimi i Zyrës së Kryeministrit për të angazhuar Institutin Ndërkombëtar për hetim të pavarur të rastit Dehari ka ngjallur edhe më tepër dyshime, ku sipas tij, i gjithë montimi i këtij procesi është ndihmuar nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës.

Image