Deri në orën 13 në Maqedoni votuan 24.3 për qind e votuesve Foto: Reuters

Deri në orën 13 në Maqedoni votuan 24.3 për qind e votuesve

29 tetor 2017 15:05

Deri në orën 13 të drejtën e votës në rrethin e dytë në Maqedoni e kanë shfrytëzuar 24.3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftuan se deri në këtë periudhë kohore pranë këtij institucioni nuk janë denoncuar parregullsi për mbarëvajtjen e procesit të votimit.

Por, organizata joqeveritare “CIVIL”, në një paraqitje për mediet ka denoncuar parregullsi në një zonë të Shkupit ku siç thuhet, janë regjistruar raste të votimit familjar, një persona për më shumë veta, pastaj raste të fotografimit si dhe disa shkelje më të vogla.

Më herët gjatë paradites, asociacioni qytetar “MOST” që ka numrin më të madh të vëzhguesve, kishte njoftuar për proces të rregullt zgjedhor dhe hapjen me kohë të qendrave të votimit.

Për dallim nga rreth i parë i zgjedhjeve më 15 tetor, kur u votua edhe për këshillat komunalë dhe Qytetin e Shkupit, tani votohet vetëm për kryetarë të komunave, që kaluan në balotazh ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Në garë janë 68 kandidatë të 8 subjekteve politike dhe 2 kandidatë të pavarur.

Gara kryesore zhvillohet kryesisht në komunat shqiptare, pasi nga 14 prej tyre me shumicë shqiptare, në rrethin e parë janë zgjedhur kryetarët e vetëm dy komunave. Beteja po zhvillohet për komunat e Çairit në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë, Dibër, si dhe komunat tjera që janë në zonat rurale. Gara zhvillohet mes kandidatëve të BDI-së, e cila ka mbështetjen e LSDM-së dhe atyre të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Te blloku politik maqedonas gara ka përfunduar në qytetet më të mëdha përfshirë edhe Shkupin, ndërsa kanë mbetur disa qytete më të vogla dhe të tjerat janë kryesisht në zonat rurale. Edhe në këtë balotazh, gara zhvillohet mes kandidatëve të LSDM-së së kryeministrit, Zoran Zaev dhe VMRO DPMNE-së ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Për rrethin e dytë të zgjedhjeve janë akredituar 5,101 vëzhgues vendorë dhe 473 të huaj. Zgjedhjet do të mbikëqyren edhe nga delegacioni i BE-së, Ambasada Amerikane, e cila ka akredituar 35 vëzhgues, ndërsa ka edhe vëzhgues nga vende tjera, si nga Britania e Madhe, Franca, Rusia, Shqipëria, Kosova e vende tjera.

Rezultatet e para nga balotazhi pritet të nisin të publikohen në mënyrë elektronike në faqen e internetit të KSHZ-së varësisht se si arrijnë nga qendrat e votimit, por ashtu sikur edhe në rrethin e parë rezultatet do të publikohen më herët nga partitë politike që kanë anëtar dhe vëzhgues nëpër të gjitha vendvotimet.

Maqedonia ka gjithsej 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e vetë-administrimit lokal me 10 komuna urbane në përbërje të tij.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme