Arbëri

Apele dhe marsh në Prishtinë për parandalimin e kancerit në gji

Për të dhjetën herë me radhe krerë institucionalë dhe qytetarë të shumtë i janë bashkuar marshit në qendër të Prishtinës për parandalimin e kancerit të gjirit, raporton KTV.

Në ecjen simbolike për të shënuar muajin e luftimit të kancerit të gjirit, u kërkua të merren më shumë masa për parandalimin e kësaj sëmundjeje, përfshirë kontrolle të shpeshta nga gratë, furnizim më i mirë me barna e më shumë mjete financiare. Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ofroi përkrahjen e ministrisë që ai drejton.

E gjatë këtij viti në QKUK janë paraqitur 20 raste më shumë sesa në vitin e kaluar.

Një nga gratë që ka mposhtur kancerin e gjirit, Nafije Latifi,e cila është edhe udhëheqëse e Qendrës Kosovare “Jeta/Vita”, ka 11 vjet që punon për vetëdijesimin e grave për kontrolle që të do çonin në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kërkoi nga gratë të kontrollohen te dy mamografët që janë në dispozicion në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. “Jeni shembulli i mirë për neve, keni luftuar kancerin e keni shpëtuar, na jepni vullnet.. Janë disa kauza që shkojnë përtej politikave ditore, fushatave, kauza këto që na bashkojnë, e tillë është edhe kjo sot”, ka thënë Ahmeti.

Ndër të tjera, të gjitha grave iu bë thirrje që për 15 minuta vizitë te mjeku, të parandalojnë humbjen e një jete.