Arbëri

Në Maqedoni përfundon fushata, nga mesnata heshtja zgjedhore

Në mesnatë përfundon fushata zgjedhore për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe fillon heshtja para votimit të dielën.

Votimi të dielën, më 29 tetor, fillon në ora shtatë dhe do të zgjatë deri në ora 19. Zgjedhjet lokale do të zbatohen në 35 komuna në 1.517 vendvotime, ku të drejtë vote kanë 833.710 qytetarë. Në rrethin e dytë marrin pjesë 70 kandidatë për kryetarë komunash.

Në komunat e Shkupit, Çair, Butel, Saraj, Gazi Babë, Kisella Vodë dhe Shuto Orizarë të drejtë vote kanë 260.194 qytetarë, të cilët do të votojnë në 387 vendvotime.

Në 29 komunat tjera në Maqedoni në rrethin e dytë mund të votojnë 573.616 qytetarë në 1.130 vendvotime.

Në Çair dhe Saraj do të zgjidhet me kandidatëve të BDI-së dhe Lëvizjes Besa, në Kisella Vodë, Gazi Babë dhe Butel mes kandidatëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ndërsa në Shuto Orizarë mes kandidatit të LSDM-së dhe kandidatit të Lidhjes së romëve.

Në komunat tjera rreth të dytë do të ketë në Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Shtip, Vinicë, Demir Kapi, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Kavadar, Probishtip, Gradsko, Jegunovc, Rosoman, Nagoriçan i Vjetër, Çashkë, Mogillë, Zërnovci, Novaci, Bërvenicë, Çeshinovë-Obleshevë, Bogovinjë, Vrapçishtë, Dollnen, Zhelinë, Likovë, Tearcë, Studeniçan dhe Karbinci.

Të shtunën, një ditë para zgjedhjeve, votojnë të sëmurët dhe personat e pafuqishëm, të burgosurit dhe personat në paraburgim.

Rrethi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 15 tetor kur janë zgjedhur kryetari i qytetit të Shkupit dhe kryetarë të 45 komunave. Në rrethin e parë janë zgjedhur edhe anëtarët e këshillave në komuna.

Këto zgjedhje janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni nga pavarësia.