Arbëri

Thaçi dëshiron që dialogu me Serbinë të kthehet në proces për pajtim

Prishtinë, 26 tetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot sekretaren e përgjithshme të EEAS-së, znj. Helga Schmid, me të cilën bisedoi për të arriturat e fundit të Kosovës, për reformat e vazhdueshme në Kosovë dhe konfirmimin e perspektivës europiane të Kosovës.

“Zgjedhjet e suksesshme komunale dhe betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo-shumicë janë hapat më të fundit të mëdhenj të Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.

“Po vazhdojmë me sukses reformat në politikë, sundim të ligjit e ekonomi, që sa më shpejt të lëvizim, me hapa konkretë, drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Presidenti.

Duke folur për Kosovën në rajon, presidenti u shpreh se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë dhe shtoi se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtim në mes dy shteteve.

“Dialogu duhet të kthehet në proces për pajtim, miqësi dhe bashkëpunim të mirë ndër-fqinjësor në mes të Kosovës dhe Serbisë”, vijoi ai.

Sekretarja e përgjithshme Schmid u shpreh se BE mbetet e përkushtuar për pranimin e Ballkanit Perëndimor në gjirin e saj dhe ftoi që të intensifikohen përpjekjet për reforma në të gjithë sektorët.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova mbetet shteti më pro-europian në rajon dhe mirëpret çdo afrim me BE-në.