Arbëri

Çfarë thotë Lumezi për provimin e vet të Jurisprudencës

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka prezantuar certifikatën e tij të provimit të jurisprudencës dhe ka thënë se me kaq ai e mbyll debatin mbi dilemat e ngritura nga ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, raporton KTV.

Librat origjinalë të amzës me provimet e jurisprudencës Ministria e Drejtësisë i mban në zyrat e veta. Por sërish certifikata e Lumezit nuk përputhet me dosjen e tij në arkiv.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, nëpërmjet një komunikate për media, ka dhënë sqarimin e tij rreth provimit të jurisprudencës, dosja e të cilit është e manipuluar.

Lumezi thotë se provimin e ka dhënë para komisionit kompetent dhe se dhënia e provimit vërtetohet edhe nga libri origjinal, i cili, sipas kryeprokurorit, gjendet në Ministrinë e Drejtësisë.

Lumezi ka prezantuar certifikatën origjinale të provimit të Jurisprudencës, ku specifikohet se e kaloi atë me datë 25 prill 1991. Por në dosjen e tij, e cila qëndron në arkiv, figuron se Lumezi, një ditë pas datës së shënuar në certifikatë, saktësisht më 26 prill 1991, i është nënshtruar provimit me gojë, pasi që më 24 i ishte rinënshtruar provimit me shkrim.

Certifikata mban numrin e protokollit 02 nr.152-1-217/90. Ky numër protokolli është i njëjti edhe në dosjen në arkiv edhe në librin amzë, ku nën emrin e Lumezit gjendet emri i Zymer Krasniqit.

Kryeprokurori i Shtetit ka thënë se me këtë certifikatë ai e mbyll çdo debat rreth dyshimeve për dhënien e provimit të jurisprudencës.

KohaVisioni ka parë librin që ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë, ku emri i Aleksandër Lumezit është i shkruar drejt dhe pa ndërhyrje. Ndryshimi ndërmjet librit origjinal dhe kopjes qëndron në faktin se origjinali është i mbyllur në vitin 1991 me nënshkrim të Sekretarit të Komisionit, Sahit Shala, derisa në kopje ky nënshkrim mungon.

Ky origjinal, i mbyllur më 1992, vazhdon të regjistrojë edhe provimet e jurisprudencës deri në vitin 2001.

Fletët e librit mund të këputen e ngjiten lehtë.

Ministria nuk na ka prezantuar procesverbal se si kanë arritur librat aty, por Drejtori i Zyrës për Profesione të Lira, Elbasan Dërvishaj, thotë se librin e mori në dorëzim nga Sahit Shala në vitin 2011.

Kohavisioni ka provuar të kontaktojë me dy nga personat që janë nënshkruar dhe kanë mbyllur vitet në këtë libër, Sahit Shalën e Vesel Latifin.

Derisa Latifi nuk ka dashur të komentojë asgjë rreth kësaj çështjeje, Sahit Shala fillimisht i tha KTV-së që në vitin 1989 ishte larguar nga puna dhe ajo ishte arsyeja pse procesverbalet nuk ishin të nënshkruar. Tha se mund të jepte një deklaratë, por më vonë ndryshoi qëndrimin, duke refuzuar të flasë për KTV-në. Por megjithatë, libri mban nënshkrimin e tij me mbylljen e vitit 1991 të shkruar në gjuhën shqipe.