Mustafa në takim me Yee-në falënderon për përkrahjen e SHBA-së

Mustafa në takim me Yee-në falënderon për përkrahjen e SHBA-së

25 tetor 2017 17:53

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit të SHBA-ve për çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë, për rrugën integruese euroatlantike të Kosovës dhe proceset tjera të rëndësishme.

Duke e falënderuar për mbështetjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve për Kosovën, Mustafa shprehu përkushtimin e LDK-së dhe të qytetarëve të vendit për të thelluar bashkëpunimin, partneritetin strategjik dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të.

Mustafa, me këtë rast, vlerësoi rolin thelbësor të SHBA-ve në të gjitha të arriturat e deritashme dhe për avancimin e proceseve demokratizuese dhe zhvillimore në Kosovë dhe më gjerë në rajon.

Ai po ashtu, e njoftoi për fitoren e LDK-së në zgjedhjet e fundit lokale dhe angazhimin e LDK-së për të mos lejuar shmangien e Kosovës nga binarët e zhvillimit të brendshëm, për forcimin e raporteve me fqinjët dhe aspektet tjera të avancimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan Yee, biseduan edhe për çështjet tjera me rëndësi vitale për Kosovën, të cilat do të avancohen me mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve, duke përfshirë liberalizimin e vizave, transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor.

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Hoyt Yee, shprehu përkrahjen e mëtejshme të SHBA-së për Kosovën dhe të gjitha proceset e rëndësishme zhvillimore të saj, duke vlerësuar kontributin e LDK-së në këtë rrugë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme