Haradinaj u takua me Hoyt Brian Yee: SHBA-ja do ta vazhdojë përkrahjen për Kosovën

Haradinaj u takua me Hoyt Brian Yee: SHBA-ja do ta vazhdojë përkrahjen për Kosovën

25 tetor 2017 17:18

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, me të cilin zhvilloi bisedë të përzemërt dhe miqësore, njofton kumtesa qeveritare, transmeton Koha.net.

Haradinaj vlerësoi lart përkrahjen e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe tha se roli i vazhdueshëm i SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e më gjerë është jetik dhe tha se ruajtja dhe kultivimi si dhe thellimi i marrëdhënieve të miqësisë së përhershme me SHBA-në për Kosovën është i një rëndësie të veçantë.

Ai e njoftoi Hoyt Brian Yee me zhvillimet në Kosovë dhe dinamikën e përcaktuar në çështjet e brendshme, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe angazhimin në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimeve euro-atlantike.

I pari i Qeverisë theksoi se Kosova është e përkushtuar për rrugën e saj evropiane dhe po punon me intensitet në reformat e brendshme për të përmbushur obligimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, me qëllim të përafrimit të vendit me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare dhe theksoi nevojën e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit përmes anëtarësimit në OKB, BE dhe në NATO.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Hoyt Brian Yee e përgëzoi kryeministrin për detyrën dhe theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset e saj. Ai tha se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën dhe për vendet e rajonit është e hapur dhe inkurajoi institucionet e vendit që të angazhohen në thellimin e reformave të brendshme, në fushën e sundimit të ligjit dhe në promovimin e zhvillimit ekonomik.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme