Arbëri

KPK: Origjinaliteti i Provimit të Jurisprudencës së Lumezit nuk është vënë në pikëpyetje asnjëherë

Prishtinë, 25 tetor 2017 - Këshilli Prokurorial i Kosovës ka përcjellë me vëmendje shfaqjen publike dhe shkrimet e disa portaleve, mediave dhe individëve lidhur me pretendimin se gjoja kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka të falsifikuar provimin e Jurisprudencës, njofton kumtesa KPK.

Bazuar në mandatin Kushtetues e Ligjor, Këshilli Prokurorial i Kosovës sqaron qytetarët e Republikës së Kosovës se procesi i përzgjedhjes së Aleksandër Lumezi fillimisht si prokuror, pastaj si Kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit dhe së fundi si Kryeprokuror i Shtetit, ka kaluar përmes të gjitha procedurave të rekrutimit dhe verifikimit të përcaktuara me Kushtetutë dhe Ligj, thotë kumtesa, transmeton Koha.net . Për më tepër, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kaluar me sukses procesin e rekrutimit dhe verifikimit i cili ishte organizuar gjatë procesit të emërimit dhe riemërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, proces ky i organizuar dhe udhëhequr në vitin 2009-2010 nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial.

Si pjesë kryesore e këtij procesi ishte verifikimi i integritetit profesional dhe personal të kandidatëve, përfshirë kryeprokurorin Lumezi.

Nga të gjitha të dhënat zyrtare të cilat i disponon Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk ka asnjë dilemë se kryeprokurori Lumezi ka ofruar dokumentet e kërkuara, përfshirë certifikatën për dhënien e Provimit të Jurisprudencës origjinaliteti i së cilës nuk është vënë në pikëpyetje asnjëherë dhe me asgjë.

Në fund kumtesa thotë se përpjekjet për publikim të fakteve se gjoja kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, e ka falsifikuar provimin e Jurisprudencës, Këshilli i cilëson si përpjekje për të dëmtuar imazhin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të sistemit prokurorial, prandaj kërkojmë nga ata të cilët i kanë ngritë këto dyshimi, të njëjtat t’i tërheqin publikisht.