Arbëri

McAllister kërkon që Kosova të fokusohet në sundimin e ligjit dhe në dialogun me Serbinë

Një nga takimet më të rëndësishme të ministres së Integrimit, Dhurata Hoxha, në Parlamentin Evropian në Strasburg, ishte takimi me David McAllister, eurodeputet, kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme, AFET, për marrëdhëniet me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, për Sigurinë dhe Mbrojtjen, etj.

Në takim, Hoxha vuri në dukje zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, si dhe të arriturat, sfidat dhe prioritetet qeveritare si procesi integrues, zbatimi i MSA-së, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal.

Ministrja po ashtu diskutoi me eurodeputetin për procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë si pjesë e agjendës euro-integruese.

“Kosova është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga MSA-ja por edhe obligimet tjera që garantojnë përshpejtimin e procesit integrues por edhe përfshirjen në planet e zgjerimit”, theksoi Hoxha.

McAllister, sipas komunikatës së MIE-së, theksoi se “Kosova është pjesë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor” dhe kërkoi nga ministrja Hoxha që Kosova të fokusohet dhe të punojë më shumë në përmbushjen e obligimeve të saj në dy fusha kryesore, “sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë” si dhe çështjet tjera që kërkohen nga BE-ja, në mënyrë që Kosova të tregoj përkushtimin dhe seriozitetin e saj karshi perspektivës evropiane.

Me këtë rast, eurodeputeti McAllister, që i përket grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, i cili vije nga Berlini, i ofroi ministres Hoxha përkrahje në procesin integrues të Kosovës, duke kërkuar më shumë angazhim nga institucionet e Kosovës.