Arbëri

Yee thotë se perspektiva evropiane për Kosovën është prioritet i SHBA-së

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është takuar me zëvendës ndihmës-sekretarin e Shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane, Hoyt Brian Yee.

Në njoftimin e presidencës theksohet se Thaçi dhe Yee kanë bisedua për marrëdhëniet bilaterale, rolin e SHBA-së në rajon, perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Me këtë rast, Thaçi ka thënë se vazhdimi i mbështetjes së SHBA-së për Kosovën dhe rajonin, mbetet çelës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në të gjithë sektorët e jetës në Kosovë”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi e ka njoftuar Yeen për zgjedhjet komunale në Kosovë dhe për betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti jo shumicë.

“Zgjedhjet komunale janë një dëshmi tjetër e pjekurisë politike të Kosovës, ndërsa dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap i madh drejt forcimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të integritetit shtetëror të Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Duke folur për prioritetet e Kosovës, Thaçi u shpreh se “përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave, përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe transformimi i FSK-së mbesin prioritete konkrete, pa lënë anash prioritetet e përhershme që janë ekonomia dhe forcimi i sundimit të ligjit”.

Nga ana tjetër, Hoyt Brian Yee ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e gjithëmbarshme për Kosovën.

“Perspektiva evropiane për Kosovën, si dhe për tërë rajonin, janë prioritete të SHBA-së”, u shpreh Yee.

Në këtë takim është biseduar edhe për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, ku u vlerësua se Kosova është lider në rajon në luftimin e terrorizmit.

Një ditë më herët, Yee ishte takuar me liderët e Serbisë të cilëve u kishte thënë se “përfundimisht duhet të zgjedhin mes Evropës apo Rusisë”.