Arbëri

Kur do të publikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i marrë kohë publikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të së dielës, raporton KTV.

Nuk ka rezultate pa u numëruar votat me kusht, atyre përmes postës dhe votat e personave me nevoja të veçanta, thotë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

E pyetur se a mund të ketë publikim të rezultateve gjatë kësaj jave, ajo ka thënë se kjo do të varet edhe nëse do të ketë rinumërim apo jo të vendvotimeve.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është pranuar i gjithë materiali i ndjeshëm zgjedhor, por ende nuk ka filluar numërimi i rreth 20 mijë votave me kusht.

Demokracia në Veprim i ka vlerësuar zgjedhjet si të mirë-organizuara, por kanë thënë se ka pasur edhe parregullsi e probleme të theksuara, sidomos në komunat me shumicë serbe.

KQZ-ja ka njoftuar se që nga nesër do të fillojë përgatitjet për rundin e dytë të zgjedhjeve të 19 nëntorit.