Arbëri

Ngritjet dhe rëniet e partive politike

Brenda pesë muajve, Kosova kaloi nëpër dy procese zgjedhore. Në ato parlamentare dhe lokale. Por, e veçanta e tyre, mbetet luhatja në rezultate. Partitë politike, brenda kësaj periudhe kohore, pësuan ngritje dhe rënie.

Përderisa në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, në nivel vendi doli e para, kurse dy partitë që për shumë vite konsideroheshin më të mëdhatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, atë kohë shënuan rënie.

Ndërkaq, pas zgjedhjeve lokale, LDK dhe PDK në nivel vendi i kanë shtuar votat, kurse Vetëvendosje, ndonëse mbetet partia që ka më së shumti ngritje, është rikthyer në partinë e tretë.

Lëkundjet e Lëvizjes Vetëvendosje kryesisht interpretohen si rezultat i mospërgatitjes se duhur për ketë proces zgjedhor.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri konsideron se edhe përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë komune, ka ndikuar në rënien e rezultateve të saj.

“Lëvizja Vetëvendosje ka bërë disa gabime strategjike si parti, duke i vendosur disa kandidatë të papërshtatshëm në garën për kryetarë komunash dhe nuk ka shkëlqyer me ndonjë program që do të mbetej në kujtesën e qytetarëve për t’i nxitur ata që ta votojnë”, tha Muhaxheri, raporton REL.

Ndërkaq, Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në zgjedhjet lokale, vota e qytetarëve lidhet më shumë me votën për kandidatin që garon për kryetarë të komunës dhe më pak me subjektin politik. Andaj, si rezultat, sipas tij, ka ndikuar në dallimet të cilat janë parë krahasuar me dy palë zgjedhjet e mbajtura sivjet.

“Po ashtu ka edhe një mobilizim më të madh të kandidatëve për kuvendet komunale, që kanë qenë rreth 7 mijë kandidatë në garë, dhe secili prej tyre, dhe në varësi prej kualitetit që kanë përberë listën e subjektit politik, kanë arritur ta mobilizojnë një pjesë të elektoratit të tyre të cilët kanë ndikuar në rezultatin e përgjithshëm”, tha Krasniqi.

Tutje, Krasniqi thotë se në ngritjet ose lëkundjet e partive politike në zgjedhjet e përgjithshme, kanë ndikuar në masë të madhe koalicionet parazgjedhore.

“Tash kemi dallime sepse partitë politike kanë garuar veç e veç dhe jo në koalicione parazgjedhore si në zgjedhjet e qershorit, dhe besoj se këto koalicione kanë pasur një ndikim më të madh në votën e qytetarëve”.

“Nëse e shohim më në detaje, bashkëqeverisja e LDK-së më PDK-në ka çuar në një votë ndëshkuese të elektoratit të LDK-së. duke votuar më shumë për Vetëvendosjen. Kurse tani, kur këto dy subjekte ishin të ndara, qytetarët të cilët kanë qenë votues më tradicional të LDK-së, janë ndier më të lirshëm ta votojnë LDK-në për shkak se e kanë ditur se nuk do të jenë në koalicion me PDK-në”, ka shpjeguar Krasnqi.

Analistët thonë se rënia e LDK-së dhe PDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme kryesisht interpretohet si rezultat i qeverisjes së keqe karshi zhvillimeve të përgjithshme, duke rezultuar me votë ndëshkuese ndaj tyre.

“Votuesi edhe me këto zgjedhje lokale i ka dhënë një leksion spektrit politik kosovar se di t'i vlerësojë kandidatët e mirë dhe di t'i ndëshkojë ata që improvizojnë”, tha analisti Artan Muhaxheri.

Sipas rezultateve preliminare, 19 komuna, konkretisht komunat më të mëdha, do të shkojnë në balotazh për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.

Kurse nga 19 komunat tjera, ku fituesit kanë dalë pa balotazh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 4 komuna, kurse në 12 tjera ka mbetur në balotazh.