VV mbështet transformimin e FSK-së në Ushtri Foto: Koha / ilustrim

VV mbështet transformimin e FSK-së në Ushtri

24 tetor 2017 13:46

Forca e Sigurisë së Kosovës e ka përmbush mandatin, duke arritur kapacitetet operacionale dhe është e gatshme për transformim në ushtrinë e Kosovës që nga viti 2014.

Kështu pohoi ministri i FSK-së Rrustem Berisha, në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, ku ka raportuar lidhur me prioritetet dhe sfidat e kësaj ministrie.

Berisha tha se janë të fokusuar në vendosjen e politikave strategjike, të cilat për qëllim kanë që FSK-ja t’i mirëmbajë kapacitetet e veta, t’i avancojë ato dhe t’i zhvillohet në të ardhmen si forcë profesionale e multietnike.

Si prioritet kryesor, ministri Berisha tha se e kanë edukimin profesional të burimeve njerëzore brenda FSK-së, thellimin e bashkëpunimit me shtetet rajonale, integrimin e komuniteteve jo shumicë, e në veçanti të komunitetit serb, i cili tashmë ka 103 pjesëtare në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Jemi në rrugë të mirë. FSK ka ngritur një komision për transformimin dhe modernizimin e FSK-së, dhe ai komision ka kryer shumë punë të mëdha. Ne si FSK do të jemi në mbështetje të politikës, për transformim. Por, siç dihet kjo është çështje politike. Është tepër me rëndësi që ta kemi një koordinim të mirë ndër institucional. Një bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe në të ardhmen ta kemi dhe një përafrim me komunitetin serb, sepse kjo është në të mirën e të gjithëve. Në e dimë që në të kaluarën ka ndodhur një luftë, por ajo është e kaluar. Ne duhet të fokusohemi drejt së ardhmes, sepse kjo është interes edhe i gjithë qytetarëve të Kosovës. Transformimi i FSK-së është në të mirë të gjithë qytetarëve. Dhe ne këtë mesazh duam që në të ardhmen ta përcjellim te çdo qytetar i Kosovës. Nga 163 minoritete, tre prej tyre janë dhe nga veriu i Kosovës, që është një hap i mirë dhe pozitiv”, tha ai, raporton KP.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e VV-së, Rexhep Selimi, tha se FSK do ta ketë mbështetjen e tyre, për avancimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës. Ai kërkoi nga ministri Berisha të kenë qasjen e duhur në çështjet buxhetore që kanë të bëjnë me FSK-në dhe procesin e transformimit të saj në ushtri.

“Është i nevojshëm trajtimi krejt ndryshe buxhetor i kësaj teme. Për shkak se pavarësisht retorikës politike, kur ne ta shohim që në buxhet nuk është paraparë rritje e këtij buxheti atëherë mbetet thjesht retorikë. Mendoj që nga buxheti do të duhej të fillohej serioziteti ose veprimet praktike për avancimin e kësaj force. Tash ndoshta nuk është personale, por përvoja jonë e përbashkët na bënë që të kemi të drejtën që t’iu shtyjmë sa më shumë në rrugën e avancimit të kapaciteteve ushtarake. Ne njihemi që nga lufta. Në luftë kemi qene krahë për krahë. Ne parlament jemi ballë për ballë. Por, kur të vjen puna për formimin e ushtrisë, prapë jemi krah për krah. Dhe kjo besoj që është e rëndësishme për ju. Atë çfarë ne iu garantojmë, iu garantojmë një mbikëqyrje të rreptë, e cila ndoshta ndonjëherë do t’iu bezdis dhe është mirë që iu bezdis”, tha ai.

Ministri Berisha duke iu përgjigjur pyetjeve për buxhetin e FSK-së tha se nuk është buxheti, të cilin e presin, por se me ndryshimin e vendimit politik për transformimit në ushtri, mund ta vendosin në zbatimin rekomandimin e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë.

“Sa i përket rishikimi i buxhetit në këtë drejtim i kemi bërë ato kërkesat tona. Dje e kemi pasur dhe dëgjimin buxhetor për vitin fiskal 2018 me Ministrinë e Financave. Realisht nuk është ai buxhet të cilin ne e presim, sepse sipas rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, është paraparë që çdo vit fiskal të rritet buxheti për 5 milionë euro. Por, përgjigja e ministrit është se tani për tani është ky buxhet dhe në momentin kur ndryshon vendimi politik për transformimin e FSK-së, pastaj mund ta vendosim në zbatimin rekomandimin e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë. Në këtë buxhetin 2018 kemi rritje rreth 3 milionë. Për buxhetin e 2017 kanë qenë diku 51 milionë e 35 mijë euro. Tash është propozimi që kjo të jetë diku 54 milionë”, tha ai.

Zëvendëskryetar i dytë i këtij komisioni nga Lista Serbe, Zoran Mojsiloviq, tha se integrimi i serbëve të veriut në FSK është çështje politike.

“Sa i përket integrimit të serbëve në FSK patët theksin në veriun e Kosovës. Kjo do të jetë pjesë e një procesi politik, çdo gjë me veriun është pjesë e procesit politik. Është më lehtë që ne këtu me pozitën dhe opozitën, ju me këta do të gjeni zgjidhje shumë më lehtë se jeni shokë lufte. Por, shpresoj që do të gjej një zgjidhje të përbashkët, një zgjidhje pozitive, e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë”, tha ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme