Arbëri

“Rritja ekonomike nuk ka prodhuar vende pune”

Rritja ekonomike e Kosovës e nxitur nga remitencat nuk sjell të ekonomi të qëndrueshme dhe vende të reja të punës.

Kështu u tha në tryezën e organizuar sot nga Banka Botërore në Kosovë, me temën “Vendet e punës dhe pengesat ndaj krijimit të vendeve të punës në Kosovë”, në të cilën u rekomandua për një kornizë transparente, përmirësim të shërbimeve publike dhe arsimim më të mirë, si dhe mundësimin që të rinjtë dhe femrat të konkurrojnë në mënyrë më efikase për punësim.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se kjo ministri përkrah sektorin privat në mënyrë që të ulet deficitit tregtar dhe të mundësohet rritje e qëndrueshme në ekonomi.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke i kushtuar vëmendje të veçantë aktivitetit që ndërlidhet me përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe heqjen e pengesave të bërit biznes, për përkrahje të sektorit privat, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e konkurrencës, e tëra kjo për të përkrahur sektorin privat në mënyrë që prodhimi dhe shërbimet e tyre të rëndohet në vlerën e shtuar, të ulet deficiti tregtar, të rriten të hyrat në ekonomi dhe të mundësohen rritje e qëndrueshme në ekonomi”, tha Hasani, raporton KP.

Hasani po ashtu theksoi se thelbësore është edhe harmonizimi i programeve të arsimit profesional sipas kërkesave të tregut, për të kryer tranzicionin e të rinjve nga shkolla në punësim.

Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli tha se në Kosovë ka pasur rritje ekonomik, e cila nuk ka prodhuar vende pune në numër për të bërë ndryshime. Sipas tij kjo rritje ekonomike është e nxitur nga remitencat dhe konsumi, dhe si e tillë nuk sjell rritje të qëndrueshme për një kohë të gjatë.

“Siç e dini mirë, Kosova është një vend i ri, historikisht. Ekonomia e Kosovës ka rritur nivelin e rritjes mbi mesataren e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit. Megjithatë, kjo rritje nuk ka prodhuar vende pune në numër për të bërë një ndryshim dhe ne jemi duke u përqendruar në këtë çështje. Ashtu siç e thashë edhe më parë, Banka Botërore vazhdon të përqendrohet në këtë aspekt, sepse ne besojmë se rritja ekonomike, e nxitur nga remitencat dhe konsumi, sigurisht që kjo nuk ka asgjë të keqe, por nuk është e qëndrueshme për një kohë të gjatë. Pra, dëshirojmë të shohim më shumë investime, më shumë kapacitete eksperte dhe e gjithë kjo është e lidhur me agjendën e punës. Raporti ka tri kufizime kryesore për punësim dhe krijim: I pari ka të bëjë me biznesin dhe mjedisin rregullator që kufizon sfidat në këtë fushë. E dyta ka të bëjë me aftësitë e varfra dhe mospërputhjes, pra, aftësitë që vijnë në tregun e punëtorëve dhe për punët e ekonomisë së re. Dhe zona e tretë, përfshinë këto pengesa për pjesëmarrje dhe hyrjen në treg që duket se po ndikon në kategoritë më të prekura, veçanërisht të rinjtë dhe gratë”, tha ai.

Ndërkaq, Monica Robayo-Abril nga Banka Botërore, e cila ka prezantuar raportin mbi gjetjet kryesore të diagnozës së vende të punës në Kosovë tha se papunësia e të rinjve në Kosovë është dy herë më e lartë se papunësia e përgjithshme në Kosovë.

“Papunësia e të rinjve është rreth dy herë më e lartë se papunësia e përgjithshme në Kosovë. Kjo është diçka që ka qenë një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në migracion. Pra, kjo është një nga karakteristikat kryesore të ekonomisë”, tha ajo.

Sipas saj, Kosova ka mos përputhje të shkathtësive të fuqisë punëtore për shkak të arsimit jo të përshtatshëm.

Nga ky raport del se 30 për qind gratë kanë pjesëmarrje më të ulët krahasuar me burrat, dhe se përveç papunësisë së lartë është edhe tranzicioni nga pa punësimi në punësim, ku faza e papunësisë është shumë e gjatë, pasi gati 60 për qind e njerëzve të papunë kanë thënë se janë të papunë për më shumë se 12 muaj.

Në këtë tryezë, kryeshefi ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se mungon disponueshmëria e fuqisë punëtore për faktin se Qeveria e Kosovës premton rritje të pagave vetëm për sektorin privat, dhe sipas ti kjo e ngulfat disponueshmërinë e punëtorëve në sektorin privat, për shkak se fuqia punëtore shpreson të gjejë një vend pune në sektorin publik.