Arbëri

KGJK: Veriu integrohet në sistemin e drejtësisë së Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, betimin e sotëm të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë para presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si integrim të veriut të vendit në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për media, KGJK thotë se për herë të parë që nga shpallja e deklaratës së pavarësisë më 2008, strukturat gjyqësore në veri të Kosovës integrohen dhe do të funksionojnë në kuadër të sistemit kosovar të drejtësisë.

“Ky është një hap i rëndësishëm për drejtësinë kosovare dhe shënon konsolidimin e një sistemi unitar të drejtësisë në tërë territorin e vendit, që do t’u garantojë qytetarëve qasje të barabartë në institucionet e drejtësisë si dhe realizimin e të drejtave të tyre kushtetuese e ligjore. Shpërbërja e strukturave të mëhershme dhe integrimi i tyre në sistemin kosovar të drejtësisë është paraparë me Marrëveshjen për Sektorin e Drejtësisë të nënshkruar në Bruksel në prill të vitit 2013, si rezultat i dialogut mes Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë”, thuhet në komunikatën e KGJK-së, raporton koha.net.

Sipas KGJK-së, procesit të integrimit i ka paraprirë plotësimi i parakushteve kyçe për fillimin e procesit të integrimit, të parapara me marrëveshjen e Brukselit.