Reçica në Gjermani për projekte të përbashkëta mes dy vendeve

Reçica në Gjermani për projekte të përbashkëta mes dy vendeve

23 tetor 2017 20:41

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica me bashkëpunëtorë, po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani, me ç’rast u takua me përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane dhe përfaqësuesit e Sindikatës Federale të Gjermanisë me seli në Dortmund.

Reçica shprehu falënderimin për UBShGj-në dhe diasporën shqiptare në gjermani për ndihmën e vazhdueshme dhënë shtetit të Kosovës.

Sipas një komunikate për media të MPMS-së, përfaqësuesit e unionit të bizneseve uruan Ministrin për angazhimin e tij në detyrën e re dhe njëherësh shprehën kënaqësinë e vizitës, kujdesit dhe interesimin për diasporën shqiptare.

Ministri i informoi ata për programin qeverisës dhe angazhimin e tij në luftimin e papunësisë në Kosovë, zvogëlimin e pranimit të asistencës sociale nëpërmjet punësimit dhe rritjen e mundësive të shkollimit dhe aftësimit profesional të të rinjve dhe grave në Kosovë.

Ai theksoi se MPMS ka filluar bashkëpunimin në realizimin e projekteve të përbashkëta me shtetin e Gjermanisë, në fushën e aftësimin profesional, gjithashtu kërkoi që ky bashkëpunim të zgjerohet dhe me Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.

Përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunimin me MPMS-në, që të ndihmojnë Kosovën, veçanërisht të rinjtë kosovarë në fushën e arsimit dhe shkollimit profesional. Edhe një herësh ministri Reçica falënderoi përfaqësuesit për mikpritjen e ngrohtë dhe shprehjen e interesimit për të bashkëpunuar.

Ministri Reçica, po sot u takua edhe me përfaqësuesit e Sindikatës Federale të Gjermanisë me seli në Dortmund. Me këtë rast, ai u njoftua për së afërmi me projektin “Fair Mobility”.

MPMS thotë se ky projekt është një projekt i rëndësishëm, i cili fokusohet në këshillimin e punëtorëve migrantë të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të treta.

Me këtë rast, Reçica kërkoi nga përfaqësuesit e Sindikatës për të filluar bashkëpunimin lidhur me fillimin e dhënies së këshillave për qytetarët nga Kosova në fushën e migrimit në punë.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që për fillim së bashku me GIZ dhe Sindikatën Federale të Gjermanisë të fillojnë të përkthejnë materialet edhe në gjuhën shqipe dhe të krijohen lidhje me Agjencinë e Punësimit lidhur me aftësimin ose hospitimin e stafit të Agjencisë në fushën e këshillimit të qytetarëve lidhur me migrimin për punë në Gjermani.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme