Arbëri

Shtyhet sërish seanca ndaj ish-avokatit që e shpalli të vdekur një person për t’ia tjetërsuar pronën

Ish-avokati Meriman Vehapi, i cili për më shumë se 6 herë nuk i është përgjigjur thirrjes se gjykatës, është paraqitur sot.

Megjithatë, ai ka kërkuar nga Gjykata që të shtyjë seancën ku pritej të niste një gjykim kundër tij, pasi, siç tha ai, nuk ishte mirë me shëndet, raporton Koha.net.

Vehapi, më 2009 kishte arritur ta bindë gjyqtarin Sami Gërdovci që ta shpallte të vdekur Rrahim Bajramin, në mënyrë që të përfitonte nga prona e tij.

Më 24 mars të këtij viti janë bërë 8 vjet qëkur Rrahim Bajrami u shpall i vdekur. Gjyqtari Sami Gërdovci dhe avokati Meriman Vehapi vendosën nënshkrimet e tyre mbi dokumentet, sipas të cilave, Rrahim Bajrami nuk jeton më.

Por ai po vazhdon të kërkojë drejtësi për të ndjekur ata që këtë e bënë me një qëllim, që të përfitojnë nga toka e tij.

Mbi 10 kilogramë dokumente e 100 seanca gjyqësore ka mbajtur në këto 8 vjetët e fundit.

Kohavisioni pati kontaktuar Odën e Avokatëve të Kosovës, por pavarësisht që kanë premtuar përgjigje, zyrtarët e saj nuk e kanë kthyer kurrë atë. Në aktin juridik, me të cilin Bajrami ishte shpallur i vdekur, figuron edhe emri i Ibrahim Shalës si avokat, por në dokumentet e lëshuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës thuhet se në këtë institucion asnjëherë nuk ishte regjistruar ndonjë avokat me emër të tillë.

E gjithë historia nisi nga 57 ari tokë, të cilën Rrahim Bajrami thotë se e ka blerë në vitin 1970 nga Urosh Steviq, por që asnjëherë nuk kishte arritur ta përkthente në emrin e tij, pavarësisht se atë e kishte shfrytëzuar deri në fund të luftës. Por, pas luftës, toka u rishit nga i biri i Urosh Steviqit.

Sidoqoftë, Bajrami kishte arritur të merrte pronësinë e tokës më 2010, por pas ankesës, Apeli e kishte kthyer lëndën e tij në rigjykim, e që nuk u mbajt kurrë.

Avokati i Popullit pati thënë se në këtë rast u shkelën të drejtat e njeriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Andaj Avokati i Popullit i kishte rekomanduar më herët gjatë këtij viti Gjykatës Themelore në Prishtinë që, duke marrë për bazë faktin se aktakuza është ngritur në vitin 2012 dhe nuk ka pasur asnjë veprim procedural për vendosjen e lëndës, të marrë masa të menjëhershme për shqyrtimin edhe vendosjen meritore për këtë rast.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 20 nëntor të këtij viti në orën 09:30.