Arbëri

Ka ndërruar jetë Prof. Dr. Xhevat Gega

Sot në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë Prof. Dr. Xhevat Gega.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot (e hëne, 23 tetor) në varrezat e qytetit në Strugë.

Prof. Dr. Xhevat Gega lindi në Strugë më 1934. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Normalen në Shkup dhe Tetovë. Pas diplomimit punon si mësues në fshatin Kishavë të Manastirit, ndërsa vitin vijues shkollor në f. Veleshtë të Strugës. Pas dy vjet mësuesie, në vitin 1953 Xhevat Gega regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Beograd dhe në vitin 1957, në po atë fakultet të Beogradit, diplomohet në degën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Pas diplomimit ka punuar si profesor i gjuhës dhe letërsisë në Normalen “Zef Lush Marku” të Shkupit, ndërsa si bashkëpunëtor i jashtëm ka ligjeruar edhe në Grupin e Gjuhës dhe Letersisë Shqiptare pranë Akademisë së Lartë Pedagogjike ”Kliment Ohridski” të Shkupit.

Vite me radhë ka qenë redaktor i rubrikës kulturore në Redaksinë e gazetës “Flaka e Vëllazërimit”. Që nga tetori i vitit 1969 e deri më 1974 ka punuar si profesor i lëndëve histori e letërsisë shqiptare dhe teori e letërsisë pranë Akademisë Pedagogjike “Kliment Ohridski” në Shkup, ku gjatë një mandati ka qenë edhe zëvendësdrejtor i Akademisë Pedagogjike.

Në periudhën ndërmjet viteve 1974 – 1978 ka qenë kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i gazetës “Flaka e Vëllazërimit” si dhe i edicioneve të tjera në gjuhën shqipe, të cilat botohen në Republikën e Maqedonisë. Gjatë periudhës së lartë përmendur, si bashkëpunëtor i jashtëm, ka ligjëruar metodikën e mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqiptare pranë Fakultetit Filologjik në Shkup. Që nga viti 1978 e deri në pensionim, tetor 1996, Xhevat Gega punoi pranë Fakultetit Filologjik në Shkup si ligjërues i lartë e në fund edhe si profesor i historisë së letërsisë shqiptare, duke kryer vite të tëra edhe detyrën e shefit të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare. Nga tetori i vitit 1979 e deri në shtator të vitit 1981 Xhevat Gega ka qenë prodekan, pastaj Kryetar i Këshillit të fakultetit, si dhe kryesues i disa komisioneve në Fakultetin Filologjik në Shkup.

Xhevat Gega do të habilitojë në temën Opusi letrar i Adem Gajtanit, kurse në vitin 1992 me sukses do ta mbrojë punimin e disertacionit të doktoratës në temën Letërsia e nacionalitetit shqiptar në Republikën e Maqedonisë 1945 – 1985 dhe do ta fitojë titullin shkencor doktor i shkencave filologjike.

Punimet dhe angazhimet profesionale

1. Dr. Xhevat Gega brenda aktiviteteve të tija pedagogjike e profesionale – shkencore zhvilloi edhe një veprimtari të rëndësishme lidhur me tekstet mësimore për nevojat e NB “Prosvetno dello” dhe Entit për botimin e teksteve mësimore nga Prishtina. Ka përkthyer edhe 15 tekste mësimore për arsimin fillor e të mesëm, si edhe është autor i një numri të madh tekstesh origjinale. Më të rëndësishmet janë Abetarja – botimi i parë në vitin 1970 e që do të pësojë ribotime gjatë viteve dhe adaptime sipas plan programeve mësimore të arsimit fillor nëntëvjeçar deri në kohët e tashme, fletoret e punës për klasat I – IV me disa ribotime, Letërsia me teorinë e letërsisë për klasën e parë të shkollave të mesme, Gramatika për klasën IV dhe V, Letërsia me shembuj për klasën e parë të arsimit të mesëm. Ka qenë bashkëpunëtor në përgatitjen e planeve e programeve mësimore për gjuhën dhe letërsinë shqiptare, bashkëpunëtor dhe pjesëmarrës në seminare për ngritjen permanente të arsimtarëve për shkollat e mesme me tema të ndryshme nga fusha e letërsisë dhe metodikës së mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqiptare të organizuar nga ana e Entit Pedagogjik Republikan të Maqedonisë.

2. Është autor i një veprimtarie madhore përkthyese, ka me dhjetëra tituj të përkthyer nga maqedonishtja dhe letërsitë jugosllave. Xhevat Gega ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjedhjen dhe përkthimin e materialeve për Mbrëmjet Strugane të Poezisë, Takimet e Racinit, Institutin e letërsisë pranë Fakultetit Filologjik në Shkup (si udhëheqës i projektit), etj.

3. Si anëtarë i Komisionit të ortografisë i vitit 1963, i themeluar për të dhënë kontributin në vendosjen e rregullave dhe shmangies së lëkundjeve në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, Xhevat Gega jep kontributin profesional për përgatitjen dhe merr pjesë aktive në punën e Konsultës gjuhësore të Prishtinës mbajtur në vitin 1968, duke mbështetur qëndrimin: “Një komb – një gjuhë letrare!”

Punimet shkencore

1. Në pasqyrën e bibliografisë të profesorit dr. Xhevat Gega, përfshihen mbi 100 punime profesionale dhe shkencore. Ai ka marrë pjesë në mbi 30 simpoziume shkencore në vend dhe në botë. Ka përkthyer 20 libra nga maqedonishtja dhe serbokroatishtja në shqipe si dhe nga shqipja në maqedonishte (B. Koneski, S. Janevski, T. Arsovski, M. Krlezha, G. Todorovski, J. Plevnesh, R. Shabani, etj.)

2. Listën selektive të punimeve mund ta grupojmë në tri fusha të ndara, duke i veçuar më karakteristiket:

I. Punime nga letërsia e vjetër dhe e re shqiptare;

II. Punime për pikat puqëse në mes letërsisë shqiptare dhe asaj maqedonase;

III. Punime nga fusha e letërsisë shqiptare në Maqedoni.

3. Dr. Xhevat Gega në veprimtarinë e tij shumëvjeçare pedagogjike e shkencore, ka treguar interes të theksuar, afinitete të veçanta në paraqitjen, kërkimin dhe shpalljen e rezultateve nga proceset zhvillimore të letërsisë shqiptare me tërësinë e saj, nëpërmjet përfaqësuesve të saj më të spikatur. Vëmendje të veçantë meritojnë punimet mbi Jeronim De Radën, Fan Nolin, Naim Frashërin, Luigj Gurakuqin, S. Spasen, etj. Vend qendror në këto punime zë studimi shkencor Mbi poezinë origjinale të Fan Nolit dhe gjenezën e saj politike, të botuar në “Jehona”, 4-5/1965 dhe e përfshirë në vëllimin mbi kritikën e Nolit, botuar në veprat e tij të zgjedhura në botim të “Rilindjes”, Prishtinë 1968, f. 154-192.