Serbia pretendon se 60 për qind e tokës së Kosovës është e saj

Serbia pretendon se 60 për qind e tokës së Kosovës është e saj

23 tetor 2017 16:03

Të gjitha vlerësimet rreth pasurisë serbe në Kosovë (ashtu sikurse politika zyrtare, edhe mediat e Beogradit Republikën e pavarur të Kosovës e quajnë Kosovë e Metohi, thua se kështu mund ta ndryshojnë historinë që ka ndodhur ( plotësimi ynë) janë plotësisht kuturu, pavarësisht se shteti ka një regjistër goxha të hollësishëm parcelash, objektesh, firmash dhe të hapësirës afariste që i konsideron prona të veta, shkruan “Danas” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Sa është vlera e kësaj pasurie askush nuk e di, meqë shumica e saj është e paqasshme edhe për organet shtetërore, aq më pak për vlerësuesit serbë. Po ashtu është e panjohur gjendja në të cilën janë objektet shtetërore e afariste, a ka ndërtime të reja në tokat që janë të evidentuara në kadastrën serbe, e nuk ka madje evidencë të saktë as se cilat janë ato ndërmarrje që janë shtëpi amë në Serbi që janë bërë me pronarë të rinj gjatë privatizimit në Kosovë

Aq më vështirë të vërtetohet çka do të jetë e pakontestueshme nga regjistri i pronave serbe, nëse Prishtina pranon të bisedohet rreth kësaj teme, për të cilat autoritetet kosovare do të pohojnë se është e tyre dhe se u takojnë sipas aktit të pavarësisë së vetëshpallur. Situatën nuk e lehtëson as fakti se, se sipas pohimeve të zyrtarëve vendës, për secilën nga pronat nga listingu ka dokumente, argument që dëshmon pronësinë ose investimin.

Sipas vlerësimit të ekspertëve, , transmeton Koha.net, e vetmja mënyrë që problemi të zgjidhet është dialogu i Brukselit, meqë cilado metodë tjetër do të çonte në ndarjen e asaj pasurie në ç’mënyrë de facto do të njihej shtetësia e Kosovës. Megjithatë, Prishtina kundërshton hapjen e një dialogu të tillë, ndërsa i shkon në favor edhe qëndrimi i Brukselit se do të bisedohet vetëm për temat që i pranojnë të dy palët. Në këtë mënyrë, e gjithë pasuria e Serbisë, e në pjesën më të madhe edhe ajo e qytetarëve të kombësisë serbe, sikurse edhe ndërmarrjet që kanë hapur firmat bija të tyre në jug të Ibrit, mbetet e uzurpuar, thotë ky shkrim. Por, me gjithë vlerë pa dyshim të madhe, çështja e pronës mbi të gjitha është temë politike, meqë mënyra e zgjidhjes së kësaj çështjeje përcakton esencialisht qëndrimin ndaj statusit të ardhshëm të Kosovës. Këtë fakt e ka theksuar edhe Partia e Pensionistëve të Bashkuar të Serbisë në prag të hapjes së fazës së dytë të dialogut të brendshëm, e cila u ka bërë thirrje të gjithëve të lënë anash dallimet dhe të arrijnë pajtimin e plotë se “ruajtja e pasurisë në krahinën jugore është temë mbi të gjitha temat në dhe rreth Kosovës”.

“Nëse në Serbi arrihet pajtimi i brendshëm në lidhje me këtë se ky është fillimi dhe mbarimi i të gjitha bisedimeve serioze të mëtejshme rreth të ardhmes së Kosovës, vija e kuqe përtej të cilës nuk do të shkelë asnjë subjekt politik, qoftë nga pushteti, qoftë nga opozita, atëherë edhe statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë i qartë, meqë më së paku 60 për qind e tokës në Kosovë është pronë serbe”, ka shkruar kjo parti.

Kësodore, në librat origjinalë kadastralë të cilat më 1999, pas përfundimit të bombardimeve mbi Serbinë janë bartur në Serbi, rreth 29 për qind e tokës në Kosovë evidentohet si pronë e Republikës së Serbisë. Kësaj duhet t’i shtohet edhe rreth 14 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të parcelave që evidentohen si pronë shoqërore e ndërmarrjeve themelues të të cilave është Republika (e ka fjalën për Serbinë – sqarim ynë) ndërsa 25 për qind e arave me shekuj janë të evidentuara si prona të familjeve me përkatësi kombëtare serbe. Përveç kësaj, në objekte rreth 1,4 milion katrorë përbëhet nga ndërtesa zyrtare dhe afariste, 24.688 janë hapësirë banesore që i ka ndërtuar Serbia, ndërkaq 753.915 katrorë përbehen nga objekte sportive, pushimore, restorante...

Nuk duhet të jenë të kontestueshme as pompat e benzinës me vlerë rreth 15 milionë euro, që janë përvetësuar e që kanë qenë pronë e INS Petro (Industrisë së Naftës të Serbisë – sqarim yni). Pronë në Kosovë ka edhe Posta e Serbisë, Telekomi, Ekonomia e Pyjeve të Serbisë (Srbijashuma), Elektroekonomia, e cila ka financuar ndërtimin e termocentraleve, mihjeve sipërfaqësore dhe të rrjetit (të shpërndarjes – sqarim ynë) nga kreditë dhe huatë prej Fondit për Zhvillim.

Në Krahinën jugore kanë punuar edhe dhjetëra firma themelues të të cilave kanë qenë ndërmarrje nga Serbia Qendrore (këtë nocion Beogradi zyrtar dhe mediat e përdorin për të vetëkuptuar se Krahina Jugore, pra Kosova është pjesë e Serbisë – sqarim ynë), porse pjesa më e madhe e tyre ka përfunduar në likuidim ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka shitur vetëm disa prej tyre.

Shteti i Serbisë ia ka dalë të ndalë shitjen e ski-qendrës Brezovica, që ka rëndësi të madhe për popullatën e atjeshme komunitetit serb, meqë i siguron ekzistencën ekonomike. Themeluesit e kësaj qendre 20 për qind janë pronë të shoqërisë së skitarëve të Serbisë dhe pjesa tjetër 80 për qind të holding kompanisë Fond Ineks – Inter Eksport, ndërsa para ndryshimeve statusore pronare ishte firma Ineks hotelet nga Beogradi, që me paret e veta dikur e kishte ndërtuar këtë kompleks. Autoritetet e Kosovës provuan të shesin objektet e ski-qendrës Konsorciumit franko-angor, pas të cilit spekulohej se qëndron lideri i Aleancës për Kosovën e Re dhe sipas shumëkujt shqiptari më i pasur në botë, Behgjet Pacolli. Procedura e u ndërpre pasi Serbia publikoi në Financial Times se bëhet fjalë për ndërmarrje që ka pronarët, aksionarët dhe se aty nuk bëhet fjalë për pronë të Qeverisë së Kosovës.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme