Arbëri

Dokumente mbi fillimin e procesit të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi

Byroja Politike e Partisë Komuniste të Maqedonisë (PKM-së), në janar të vitit 1952, nga radhët e veta formoi një komision, me detyrë “të kryej hulumtimin e hollësishëm të situatës politike të popullsisë shqiptare”. Për kryetar të komisionit u emërua Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Mito Temenugov, Reis Shaqiri, Boge Kuzmanoski, Tome Buklevski - Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan, shkruan Qerim Lita në koha.mk.

Opinioni i gjerë shqiptar përmes fejtoneve e dokumenteve të shumta të botuara në gazetën shqiptare KOHA – Shkup, është informuar gjerësisht për procesin e shpërnguljes masive të popullsisë shqiptare nga trevat verilindore, përkatësisht veriperëndimore të Maqedonisë së sotme për në Republikën e Turqisë, i cili proces filloi në pjesën e dytë të vitit 1953. Paraprakisht, udhëheqja komuniste jugosllave, për bartës të këtij procesi emëroi duetin e njohur komunist maqedonas, Llazër Kolishevskin dhe Kërste Cërvenkovsin, ndërsa RP të Maqedonisë, si territor nga ku do të fillonte realizimi praktik i tij.

Për rrjedhojë, Byroja Politike e PKM-së, në janar të vitit 1952, nga radhët e veta formoi një komision, me detyrë “të kryej hulumtimin e hollësishëm të situatës politike të popullsisë shqiptare”. Për kryetar të komisionit u emërua Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Mito Temenugov, Reis Shaqiri, Boge Kuzmanoski, Tome Buklevski – Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Komisioni në fjalë, hartoi planin e punës, të cilin në vazhdim po e paraqesim të plotë:

“PLANI I PUNËS TË KOMISINIT TË KQ PKM-së

I.

Situata politike në parti dhe te masat

Lidhja e masave me pushtetin.

a/ cilat shtresa dhe si po sillen ndaj pushtetit: punëtorët, fshatarët, zejtarët, tregtarët, nëpunësit dhe posaçërisht hoxhallarët dhe inteligjenca.

Në çka përbëhet veprimtaria e armikut?

– mbeturinat dhe rrënjët e lëvizjes balliste /historiati /

– në çfarë forme realizohet dhe manifestohet veprimtaria e këtyre mbeturinave si dhe në cilat shtresa po ndikon.

– si po ndihen masat shqiptare ndaj pastrimeve të mëhershme të bandave balliste dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

a/ Si po sillen masat ndaj IB-së?

– si është sjellja ndaj Shqipërisë së sotme /sipas shtresave/.

Si po punohet për këto çështje nga ana e partisë dhe pushtetit:

-posaçërisht si është sjellja ndaj inteligjencës.

çfarë roli luajnë hoxhallarët dhe sa është ndikimi i tyre në masë:

-të kontrollohet politika e deritanishme e pastrimit me ta lidhur me çështjen e ferexhesë, KPF-ve, etj.

a/ në mënyrë të veçantë të shihet besimi ndaj fesë, paragjykimet dhe fanatizmi fetar.

Të bëhet një pasqyrë e inteligjencës nga Shqipëria, posaçërisht për ata që janë ngritur te ne /ndikimi i tyre politik/.

Si qëndron çështja rreth paraqitjes së shovinizmit, qoftë nga shqiptarët ose maqedonasit:

Format e veprimtarisë politike të cilat zbatohen nga partia dhe pushteti ndaj të gjitha shtresave.

Situata dhe veprimtaria e organizatave masive /FP, RP, GAF, lidhja e luftëtarëve etj./.

II.

Situata ekonomike te masat shqiptare

Të ardhurat bazë për ekzistencë – të punësuar sipas profesionit – sa punojnë jashtë vendit të tyre – si kanë ndikuar masat e reja ekonomike – ndërtimi i shtëpive të reja.

Kooperativizmi: gjendja në kooperativat shqiptare, veçanërisht në ato të kombinuara /pasqyrë numerike /.

– sa janë të ngritura masat shqiptare dhe sa është vetëdija e tyre për pranimin e formave të ndryshme të kooperativizmit.

III.

Veprimtaria e organizatës partiake

Përbërja e organizatës partiake; sociale, nga cilët struktura pranohen: rinisë, inteligjencies, gra /prej cilës moshë /.

– përbërja politike të anëtarit të partisë para se të pranohet në PK /a ka mbeturina të ballistëve dhe organizatave tjera/:

– në cilën mënyrë kryhet pranimi në PK /kriteri /.

a/ sa anëtarët kanë njohuri për PKJ, si e kuptojnë partinë /në biseda individuale /.

Format për veprimtari ideologjike në parti: a/ çka konkretisht mësohet, çfarë materiali; fletushka, broshura, literaturë dhe në cilën gjuhë /çfarë forme zhvillojnë kompetentët/.

Metoda e punës në OBP /si zgjidhen dhe zbatohen detyrat /:

– sa është krijuar fytyra e komunistit /zgjuarsia, familiarizmi/.

– si është korrupsioni te komunistët /në tregti, në kooperativë dhe në vendet tjera udhëheqëse /.

Si është sjellja dhe çfarë politike udhëhiqet ndaj anëtarëve më të vjetër të Partisë me përvojë më të gjatë partiake – sa ata janë ngritur si komunistë.

Sa i jepet rëndësi për pranimin në parti dhe për ngritjen e rinisë, të cilët marrin pjesë në aksione dhe ato që kthehen nga APJ.

Si përfaqësohen masat shqiptare në këshilla dhe organizata /a janë formalisht ose faktikisht, dhe sa ata punojnë/.

IV.

Çështjet kulturore-arsimore

Veprimtaria botuese në shqip.

Depërtimi dhe shfrytëzimi i shtypit dhe literaturës.

Depërtimi dhe shfrytëzimi i radios /numri i emisioneve/.

Shkollat: numri i shkollave, kuadri arsimor, librat, programet arsimore – pjesëmarrja në shkollat profesionale – gjendja në programet shqipe, respektivisht gjimnazet dhe shkolla e normales – sigurimi material – rregullshmëria e fëmijëve në shkollë.

– kuadri arsimor /anëtarë të PK, sa femra/.

Analfabetizmi dhe lufta kundër saj.

Gjendja e shkollave turke në territoret shqiptare.

Pasqyrë e shoqërive sportive dhe shoqërive tjera.

PASQYRA NUMRIKE

e cila duhet t’i bashkëngjitet analizës për pakicën shqiptare

/E mbështetur në arsyetimet me shkrim/

Numri i popullsisë – numri i shqiptarëve: femra e meshkuj; punëtorë, bujq, zejtarë, të punësuar në tregti, nëpunës.

Numri i ish bajraktarëve, kulakëve e të personaliteteve me ndikim.

Pasqyrë për inteligjencën: gjatë kohës së okupacionit, të ardhur nga Shqipëria pas okupacionit – të ngritur veçmas në vendin tonë /gjendja sociale, përbërja gjinore, niveli arsimor, mosha dhe në cilat detyra gjenden tani/.

Sa është numri i popullsisë që shkon në kurbet.

Sa shtëpi të reja janë ndërtuar nga ana e shqiptarëve.

Kooperativizmi: sa shqiptarë marrin pjesë në kooperativa /familje, tokë/ – sa familje shqiptare ka në kooperativat e përziera – pasqyrë numerike të kooperativave të përgjithshme bujqësore/ – të paraqitet përqindja e pjesëmarrjes të masave shqiptare në kooperativat/.

Parti: numri i anëtarëve të LK-së /përbërja sociale, gjinore, pasqyra e moshës, sipas përvojës partiake e të profesionit/.

Numri i përgjithshëm i mësuesve: prej tyre anëtarë të LK-së /femra-meshkuj/.

Sa është numri i anëtarëve të LK-së te rinia të cilët janë kthyer nga APJ-ë dhe nga aksione të punës /arsyetim me shkrim, nga cilët radhë janë pranuar për anëtarë të partisë, ndikimi i mëhershëm i ballistëve/.

Pasqyrë e anëtarëve të PK-së shqiptarë, të cilët kanë kaluar përmes shkollave të ulëta e të larta partiake e të kurseve /ku punojnë tashti/.

Pasqyrë e arsimimit të anëtarëve të PK-së /analfabet e gjysmanalfabet/.

Në organizatat partiake shqiptare dhe nga anëtarët e PK-së, në sa ekzemplarë pranohet “Nova Makedonia”, “Borba” “Partiski zhivot”, “Komunist” dhe “Partiska izgradba”.

Pasqyrë numerike e shqiptarëve të përfshirë në KRR të PKM-së, KRR të RP-së, MPP-ë dhe në udhëheqjet e organizatave masive.

Sa radio-aparate ka te popullsia shqiptare /private, nëpër shkolla, në këshilla etj./.

Numri i shkollave shqiptare: fillore, tetëvjeçare, gjimnaze /përkatësisht paralele/.

a/ numri i nxënësve shqiptarë në shkollat e përmendura.

b/ të jepet pasqyrë e veçantë sa nxënës nuk janë të rregullt në shkollë ose sa fare nuk e vijojnë mësimin.

Pasqyrë e kuadrit mësimor /arsimimi, përgatitja profesionale/.

Sa analfabet ka pasur në vitin 1945.

a/ sa prej tyre janë aftësuar deri më tash.

b/ sa analfabet ka tash.

Pasqyrë e pjesëmarrjes së deritanishme të shqiptarëve nëpër udhëheqësi të ndryshme dhe në MPP, nga çlirimi e deri më tash dhe ku ata gjenden tani”.

Gjithnjë sipas planit të paraparë, Komisioni, nga data 17 janar e deri më 3 shkurt vizitoi rrethet: Kumanovë, Gjorçe Petrov, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Resën, me ç’rast, mbajti mbledhje të shumta me organizatat e atjeshme partiake e ato shoqërore-politike, me mësuesit shqiptar, me shoqëritë kulturore-artistike shqiptare etj. Për punën e kryer në terren, Komisioni hartoi raportin prej 40 faqesh të titulluar “Analizë për pakicën nacionale shqiptare në RPM-ë”. E njëjta u shqyrtua në mbledhjen e zgjeruar të Byrosë Politike të PKM-së, punimet e së cilës u zhvilluan më 29 shkurt të vitit 1952, në të cilën morën pjesë edhe të besuarit e UDB-së, për ato rrethe. Analiza, përfshinte katër kapitu: historia dhe gjendja politike në mesin e popullatës shqiptare në Maqedoni; çështja e arsimit; çështja ekonomike dhe çështja organizative. Në të, ndër të tjera, vihej në pah se “pjesa dërmuese e popullatës myslimane në Maqedoninë Perëndimore është turke”, sidomos në: “Tetovë, Gostivar dhe Strugë” dhe se “detyrimisht duhet të hapen në ato qytete shkolla turke.”.

Krahas miratimit të Analizës, në mbledhje u sollën edhe disa konkluzione, lidhur me problemet politike, arsimore, ekonomike dhe organizative në territoret e mësipërme, ku ftoheshin organizatat partiake dhe ato masive të rretheve që të punonin: “..në përmbysjen e tendencave nacional-shoviniste, si dhe në vendosjen e punës aktive të luftës kundër tendencave të zhvilluara për bashkimin e Shqipërisë nëpërmjet komiteteve perëndimore.” Kjo, për kreun e Byrosë Politike, ishte e domosdoshme, sepse, siç thuhej në dokument: “Lufta e jonë për përmbysjen e Shqipërisë së Enverit tashmë ka dhënë rezultate të duhura, mirëpo mungesa e punës sonë të deritanishme për çështje tjera, përhap tendenca të tilla për bashkimin e Shqipërisë, nëpërmjet komiteteve perëndimore ose për Shqipërinë e bashkuar pa Enverin dhe Rusinë”. Për kreun e PKM-së, gjendja më kritike ishte në rrethet e Tetovës, Gostivarit dhe të Dibrës, ku siç vihej në dukje: “kohëve të fundit gjendja në këto rrethe ka ardhur deri në atë shkallë, saqë as organizatat partiake, as pushteti ose UDB-ja, nuk janë të sigurt cilit t’i besojnë..” dhe se: “e tërë kjo është zhvilluar në linjën shqiptaro-madhe, qoftë për çështjen e lidhjeve me çetat e armatosura nga Shqipëria ose lidhur me agjenturën e komiteteve perëndimore shqiptare, duke shprehur mosbesim dhe shovinizëm ndaj pushtetit dhe partisë sonë.”.

Për të parë më përsëafërmi se çfarë u tha në atë mbledhje, në vazhdim po e paraqesim në tërësi procesverbalin e asaj mbledhje, nga ku del sheshit politika antishqiptare e kreut më të lartë politik maqedonas, në radhë të parë të Llazar Kolishevskit, si dhe të përfaqësuesve të UDB-së:

* * *

PROCESVERBAL

nga mbledhja e Byrosë Politike të KQ të PKM-së, mbajtur më 29 shkurt 1952, në të cilën është shqyrtuar Analiza e ekipit të KQ PKM-së, kushtuar problemit shqiptar në RP të Maqedonisë

Shkup, 3 mars 1952

Në mbledhje morën pjesë sekretarët e interesuar të komiteteve të rretheve dhe të besuarit e UDB-ës.

Në rend dite u shtrua çështja e raportit tonë ndaj pakicës shqiptare.

Shoku Llazo (Llazar Kolishevski – Q.L.): Për këtë çështje KQ i PKM-së themeloi komision me detyrë ta studiojë gjendjen e organizatave partiake në Maqedoninë Perëndimore, përkatësisht, ato treva ku ka një pjesë të madhe të shqiptarëve, për përbërjen organizative të partisë, punën ideologjike-edukative, punën politike etj. Ekipi dorëzoi raport për punën dhe ne konsiderojmë se kjo çështje, sipas peshës, për organizatën tonë partiake e pamë të domosdoshme të shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të Byrosë Politike me komitetet partiake dhe të besuarit e UDB-ës nga të gjitha rrethet.

Analiza e punës është gati, ndërsa konkluzionet rreth saj do të miratohen pas debatit që do të zhvillohet në këtë mbledhje.

Në emër të ekipit raportin e paraqiti shoku Kërste Cërvenkovski.

Pas raportit shoku Llazo hapi debat në të cilin morën pjesë:

Marçe – Tetovë (Arizan Nestorovski – Q. L.) – Pajtohem me shumë çështje të këtij raporti. Mirëpo, nëse diskutohet për shovinizmin e shokëve nga Maqedonia Perëndimore, mendimi im personal se kjo është e saktë dhe se kjo është për shkak se nuk ka asnjë njeri nga ata i cili si përfaqësues të masave punon në komitet apo në pushtet, e i cili më herët apo më vonë janë bërë armiq të pushtetit tonë, të vendit e partisë tonë. Asnjëri nga ata shokë që punojnë në komitet apo pushtet, nuk është element i shëndosh, nuk është besnik i partisë, i cili nuk do ta tradhtonte revolucionin tonë dhe ndërtimin e socializmit te ne. Mirëpo, unë këtë çështje nuk e shoh kësisoj te populli, masat shqiptare, por përfaqësuesit e atyre masave. Linja armiqësore, për bashkimin e atyre trevave kah Shqipëria e madhe, nën udhëheqjen e komiteteve perëndimore (mendon për Komitetin “Shqipëria e Lirë”, i cili u themelua në vitin 1949 në Paris, në të cilin merrnin pjesë të gjitha organizatat politike antikomuniste shqiptare në botën e jashtme, përveç organizatës “Blloku Indipedent”, me qendër në Romë – Q.L.), bindje të tilla ekzistojnë edhe te shokët anëtarë të byrosë së komitetit. Kështu është shembulli me Qemalin (Qemal Hajrullau, i cili në atë kohë mbante postin e anëtarit të Byrosë së Komitetit të PKM-së për rrethin e Tetovës – Q.L.). Kjo vërehet, prandaj edhe anëtarët tjerë të komitetit nuk kanë besim te ai.

Qëndrim të ngjashëm pati edhe rreth çështjes për hapjen e shkollave turke. Në mbledhjen e komitetit, ku u shtrua që secili vullnetarisht e në mënyrë të lirë të deklarohet se a është turk, Qemali u luhat. Të nesërmit, menjëherë pas mbledhjes nëpër qytet u lëshuan parulla të ndryshme armiqësore, me qëllim këtë ta paraqesin si përpjekje për cenimin e unitetit të shqiptarëve, për copëtimin e masave shqiptare. Situata ishte shumë e ashpërsuar, u vendosën madje edhe flamuj shqiptarë nga ana e mësuesve – emigrant. Gjatë konferencës me mësuesit kursist u krye një protestë e gjerë, u kërkua madje edhe të largohen me forcë delegatët, në të cilën konferencë mori pjesë edhe Qemali si mësues. Me heshtjen e tij ai e arsyetonte atë gjendje në vend se të qëndrojë në linjën e njëjtë me shokët nga komiteti. Më vonë ai e pranoi këtë si gabim. Pati edhe dukuri të tilla që ndaj atyre njerëzve që ndiheshin si turq, të mos guxojnë fëmijët e tyre t’i regjistrojnë në shkollën turke. Çështja më vonë u lokalizua.

Shembuj të tillë kemi edhe me anëtarët tjerë të komitetit, të cilët patën qëndrim të ngjashëm lidhur me shkollat turke, duke folur se këtu nuk ka asnjë turk. Kështu Bajrami (Gola – Q.L.), anëtarë i komitetit për njerëzit e burgosur në vitin 1951, ka pasur njohuri që nga viti 1949, ndërsa pasi ata burgosën deklaron se ka ditë për veprimtarinë e tyre. Ose në Grupçin, në mbledhjen e organizatës partiake, pas burgosjes së sekretarit të saj shprehet: “kush është tradhtar dhe kush na tradhton njëri tjetrin”.

Nisur nga kjo edhe mosbesimi ndaj atyre kuadrove, për të cilët nuk jemi të sigurt, ndërsa kuadrot maqedonas janë njerëz të sinqertë dhe të dhënë pas partisë dhe në rast të ndonjë gabimi e pranojnë dhe janë të hapur.

Çështja për punën vullnetare në mesin e masave shqiptare konsiderohet si çështje kulakësh. Madje, ka edhe dukuri që fshatarë të pasur të paguajnë fshatarë më të varfër të punojnë për ta. Në shumë fshatra njerëzit e pasur dhe atë që në ish Jugosllavi kanë qenë në pushtet, kanë ndikim ndaj organizatave partiake dhe ata nuk mund ta grenë kokën. Ndikim të madh kanë edhe hoxhallarët. Madje, ka edhe anëtarë të komitetit që i kryejnë obligimet fetare.

Çështja e administratës së pakicës nuk është zgjidhur, përveç në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Vlerësimi im është që emigrantët, të cilët janë në rrethin tonë e të cilët thuajse të gjithë janë përkrahësit e komiteteve perëndimore “Shqipëria e Madhe”, ndikojnë negativisht te popullsia dhe se nuk është e përshtatshme që vendosen në ato treva.

Njerëzit e zgjedhur në pushtet në pjesë të madhe janë të paaftë për punë dhe ata atje janë vetëm si figura, që shfrytëzohet nga ana e armiqve.

Të gjitha këto shembuj që i shtrova, për mendimin tim personal, ky shovinizëm u përket individëve e jo masave.

Parashtrohet pyetja, a thua do të përfitojmë bashkëpunëtor për çështjet tona nga masat apo nga anëtarët e partisë. Praktika dëshmon se anëtarët fshihen njëri ndaj tjetrit, ndërsa të gjitha çështjet kuptohen nga masat.

Popovski (Elisie Popovski – Q.L.): Konsideroj se partia çështjen shqiptare e ka anashkaluar dukshëm. Nga njëra anë, te komitetet ekziston shovinizmi edhe kjo është e saktë. Për këtë çështje ekziston linja e partisë, mirëpo te ne konkretisht kjo nuk është përpunuar në sasi të mjaftueshme dhe rezultatet për zbatimin e së njëjtës nuk janë të mira. Prandaj, konsideroj se komitetet nuk kanë perspektivë të mjaftueshme për atë vëllazëri jugosllave, por se kjo është krijuar në baza jo të shëndosha. Që të përmirësohet gjendja në teren është e nevojshme që: e para, të ketë një sërë masash dhe dispozita ligjore të cilët mund t’i përdorim në lidhje me kundërvajtjet nga ana e hoxhallarëve, që absolutisht nuk zbatohet në terren dhe e dyta, të kryhet analizë në mesin e inteligjencës shqiptare në teren, e cila është bartëse e shovinizmit tek ne. Në shtypin tonë deri më tash nuk doli asgjë nga ai shovinizëm dhe te ne nuk shkruhet asgjë për atë. Ata irredentistë shqiptarë i durojmë nga viti 1943 dhe për të gjitha ato punë të tyre nuk ndërmarrim masa. Për këtë, fajtorë jemi vetë ne dhe prandaj tërë fajin nuk guxojmë t’ua hedhim komiteteve, por ajo është e të gjithë neve që këtë çështje e kemi lëshuar nga duart tona.

Kuzmanovski (Boge -Q.L.): Në komitetin e Tetovës shprehen mendime se elementi shqiptar është tradhtuar, shitur. Për mendimin tim, kjo është tërësisht jomarksiste. Kjo do të na çonte tërësisht në pozita trockiste. Jo vetëm në Tetovë, vlerësime të tilla ekzistojnë edhe në komitetet tjera. Konkluzionet e tilla zbatohen edhe në praktikë, ndërsa ky mosbesim nxitë shovinizmin dhe armiqësinë e shqiptarëve ndaj maqedonasve e pushtetit. Te shokët që punojnë në UDB-ë ekziston mendimi se shqiptarët janë të atillë. Unë me këtë vlerësim nuk mund të pajtohem. Ndërsa kur shqiptarët punojnë mirë, i plotësojnë obligimet e tyre, themi se punojnë nga frika. Ne në teren hasëm edhe në organizata të mira partiake. Në organizatën partiake të rrethit të Gjorçe Petrovit hasëm në komunistë shqiptarë të ngritur e intelektualë. Kështu është shembulli me OPB në fshatin Raçe. Kjo çështje, fillimisht duhet zgjidhur në organizatat partiake e më pas te masat.

Çallovska (Liljana – Q. L.): Nuk është e drejtë formulimi “kombi sundues”, kjo te ne nuk ekziston. Por, se ekziston rreziku që shovinizmi maqedonas të krijohet në formën e shovinizmit të kombit sundues, kjo është e saktë.

Shoku Llazo: Kombi sundues në kuptimin si shumicë e kombit, në duart e të cilit është pushteti.

Çallovska: Konsideroj se te disa kuadro partiake ka sjellje të tilla sikur këtu të bëhet fjalë se jemi kombi sundues. Këtu nuk bëhet fjalë për linjë partiake. Shovinizmi te anëtarët e partisë – maqedonas flet se ka mendime se tash është momenti i maqedonasve. Kjo është pikërisht ajo që do të na çonte në humnerë dhe në këtë qëndron rreziku i madh, kundër së cilës duhet të luftojmë. Është fakt se ne nuk jemi kombi sundues, se nuk ka bazë ekonomike që kjo të zhvillohet, por nëse ekziston ndonjë çështje konkrete në shtrembërimin e linjës së partisë, atëherë kjo na sjell dëme të mëdha edhe kjo është e saktë. Ndoshta do të duhet më shumë të flitet se si ne te masat shqiptare ta thellojmë diferencimin klasor. Është fakt se shumë më lehtë pranohet propaganda reaksionare e kapitalizmit perëndimor se sa e Informbyrosë, e kjo ka bazë edhe në vetë marrëdhëniet shoqërore. Nga fjala hyrëse, por edhe nga debatet në komitete, është e qartë se përse nuk mund të arrihen rezultate. Prandaj, duhet nisur nga komitetet.

Jançuli: Lidhur me futjen e administratës shqiptare në trevat e banuara me masa shqiptare. Kjo çështje u shtrua si një lloj direktive nga linja partiake dhe në linjën e pushtetit. Konsideroj se për masat e tilla nuk janë kryer përgatitjet e duhura. Kjo mund të tërheqë edhe pasoja të këqija. Te ne ende nuk është e qartë se cila gjuhë shqipe do të futet si gjuhë letrare. Prandaj duhet të zgjidhet çështja për gjuhën letrare.

Atanasovski: Çështja për të cilën diskutojmë është fryt i regjimeve të mëhershme, që ne jemi të detyruar ta përmirësojmë. Momentet historike të shtruara në referat nuk ishin të mjaftueshme. E kaluara e popullit maqedonas dhe popullit shqiptar nuk është shumë e mirë.

Shoku Llazo: Por, ne kemi një sërë dokumentesh të kombit maqedonas e shqiptar, të cilët janë të përbashkëta e të cilat saktësisht i përcaktojnë edhe kufijtë midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, shumë punë të përbashkëta. Por, ato mohohen, nuk theksohen, ndërsa theksohen vetëm të këqijat.

Atanasovski: Është e saktë se gjendja është brengosëse, por nuk është aq e errët, siç është prezantuar. Lidhur me punën tonë politike e shoqërore, ne duhet të zhvillojmë politikë të barabartë. Komiteti ynë në mënyrë të drejtë e kuptoi çështjen e popullsisë shqiptare dhe, falë asaj, është përmirësuar edhe përbërja e anëtarësisë partiake.

Në rrethin tonë njerëzit janë të vetëdijshëm për barazinë përkundër dukurive të cilat janë mbeturina nga e kaluara, dhe kjo është një e arritur e madhe. Këtë e përforcon edhe sjellja e shokut Kodra (Xhafer Kodra, i cili në atë kohë mbante postin e ministrit të Drejtësisë. Menjëherë pas kësaj mbledhje, ai arrestohet dhe nën akuzën se ka zhvilluar veprimtari “armiqësore” kundër popullit e shtetit, dërgohet në burgun famëkeq Goli Otok -Q. L.), i cili nuk kthen në komitet, por me Bajramin (Gola – Q. L.) zhvillon aktivitete në terren pa e pa të arsyeshme të kthej tek ne, ndërsa edhe Bajrami shpesh herë vije në Shkup te Kodra.

Lidhur me çështjen e pakicës turke, kemi konstatuar se rreth 80% të pakicës në qytet (Tetovë – Q. L.) janë turq, por edhe në vetë mbledhjen e komitetit anëtarët e komitetit, Qemali (Hajrullau – Q. L.) etj., thanë se të gjithë janë shqiptarë dhe se nuk ka turq në qytet. Kështu, pakica turke nuk mund të shfrytëzohet me të drejtat që i takojnë, në komitet u tha se është kërcënuar nga armiqtë në rast se deklarohet si turke.

Shoku Llazo: Kjo çështje urgjentisht të shtrohet para frontit. Kjo çështje duhet të pastrohet.

Atanasovski: Presioni ndaj pakicës turke në shkollat shqiptare shkonte deri atje, saqë për çdo fjalë turke fëmijët dënohen nga 2 dinarë. Gjithashtu, presion të madh kryen edhe shoqëria kulturore-artistike (Xheladin Zeqiri – Q. L.) me propagandën e sajë, me qëllim të tregojë se në qytet vërtetë ka vetëm shqiptarë.

Temellkovski: Çështja bazë rreth së cilës duhet të debatohet, janë organizatat partiake bazë në ato treva. Dobësia themelore e komiteteve tona qëndron në atë se nuk kemi gjetur mënyrë për përmirësimin e punës në OBP-ë.

Një çështje tjetër është ajo se disa njerëzve të mirë nuk u jemi afruar e nuk i kemi edukuar, me çka do të bëheshin anëtarë të vetëdijshëm e të besuar të partisë. Kushtet e punëtorëve në Mavrovë, një pjesë e të cilëve janë shqiptarë, nuk i kemi shfrytëzuar, ndërsa kushte të tilla ekzistojnë edhe në vende tjera nëpër miniera dhe punëtoritë, që duhet t’i shfrytëzojmë për edukimin e njerëzve.

Kur bëhet fjalë për patriotizmin jugosllav, krahas elementeve që i posedon ai, pasi jemi vend socialist, ai është edhe patriotizëm socialist. Tërë aktiviteti ynë politik ndikon në krijimin e atij patriotizmi jugosllav. Mirëpo, pa luftën aktive të organizatës partiake, nuk mund ta kemi atë patriotizëm socialist. Nëse bëhet fjalë se çfarë patriotizmi ekziston te anëtarët e partisë, mund të thuhet se ajo nuk është asçfarë patriotizmi, por simpati të kundërta nga interesi i vendit tonë.

Ekzistojnë një sërë dobësi në sistemin e punës së komiteteve partiake. Kompaktësia te pakica shqiptare nuk duhet shikuar si një realitet i kryer. Për një pjesë të madhe të asaj shqiptarie, socializmi është i pranueshëm vetëm nëse do të kuptoheshin.

Parulla vëllazërim-bashkim duhet të merr bazë më të gjerë materiale. Edukimi i njerëzve kundër besëtytnive fetare.

Sejfulla (Qemal – Q. L.): Duhet të kryejmë ndikim më të madh në Vakëf. Të vendoset një censurë më e madhe për t’u bërë hoxhë. Të ndërpritet e drejta e ulemave që vetë ata të shpallin imamë nëpër rrethe.

Të zgjerohet propaganda në gjuhën shqipe dhe kontroll më të madh ndaj gazetës (Flaka e Vëllazërimit – Q. L.). Të botohen më shumë libra në gjuhën shqipe.

Të organizohen kinema lëvizëse dhe mjete propaganduese, ndërsa në anën tjetër nuk i shfrytëzojmë punëtorët publik shqiptarë dhe pjesën e ndershme të mësuesve për agjitacion pranë masave.

Të organizohen ligjërata para shoqatave të mësuesve.

Uzunovski (Cvetko – Q. L.): Të mos tolerohen dukuritë e shovinizmit maqedonas. Të zhvillohet luftë e njëjtë kundër shovinizmit edhe te shqiptarët, edhe te maqedonasit, si në radhët e partisë tonë, po ashtu edhe në mesin e masave.

Lidhur me çështjen e IB-së (Informbyrosë – Q. L.) dhe ndikimit të Shqipërisë enveriste, duhet të zhvillojmë luftë, sikurse edhe kundër komiteteve perëndimore dhe reaksionit.

Lidhur me organizatën partiake, çështja bazë është kuadri. Detyra kryesore që duhet t’i prijë organizata partiake është të ndërtojmë kuadër të shëndoshë e të besueshëm nga radhët e punëtorëve e bujqve. Rreth kësaj çështje, të angazhohen komitetet partiake, ndërsa t’u jepet edhe ndihma më e madhe nga KQ i PKM-së.

Parimisht, ndaj kuadrit shqiptar udhëhiqet një politikë më e butë. Nevojitet të kemi raporte të njëjta ndaj kuadrit shqiptar, sikurse ndaj atij maqedonas dhe debat të hapur e punë me të gjithë.

Lidhur me shkollat turke, si parti të sigurojmë se ata që ndihen si turq t’ua sigurojmë të drejtat e tyre.

Aleksoski: Të mos lejojmë t’i asimilojnë ata që veten e konsiderojnë për turq. Në rreth ekzistojnë njerëz te të cilët mund të mbështetet partia.

Të aktivizohen disa shqiptarë e mësues më të ngritur. Detyra themelore është t’u kushtojmë vëmendje më të madhe organizatave partiake shqiptare.

Shoku nga Struga ( I besuari i UDB-së për rrethin e Strugës, që në procesverbal nuk përmendet as emri ilegal i tij – Q. L.).: Gjendja në rreth është e ngjashme sikurse në rrethet tjera. Organizatave partiake u nevojitet ndihma konkrete për çështjet politike e ekonomike. Anëtarët e partisë të ngarkohen me detyra konkrete.

Shoku nga Dibra (Po ashtu i besuari i UDB-së për Dibër – Q. L.): Çështja e emigrantëve përbën problemin e madh politik, i cili duhet zgjidhur.

Ndikimi i IB-së nga Shqipëria është i lartë në qytet dhe në fshatrat kah kufiri, në fshatrat shqiptare.

Çështja e torbeshëve në përmasa më të mëdha është zgjidhur.

Shoku nga Gostivari (I besuari i UDB-së – Q. L.): Në qytet punon gjimnazi shqiptar, ndërsa 80% e popullsisë është turke. Atje paraqitet si problem dukuria e kalimit nga shkolla turke në atë shqiptare.

Çështje tjetër është mungesa e kuadrit për shkollat turke.

Shumë serioze është edhe çështja e kooperativave.

Shoku Llazo: Me Këshillin për bujqësi të sillet Ligj për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve nga ana e personave privat. Kjo, veçmas është e rëndësishme për krahinat pasive.

Shoku nga Gostivari: Mos shkuarja e grave në punë përbën problem në vete.

Ndikimi i Shqipërisë enveriste është bukur i lartë dhe është në baza familjare.

Duhet të zhvillohet luftë më këmbëngulëse edhe kundër dukurisë së martesës së dyfishtë që ekziston edhe te komunistët.

Në fund shoku Llazo dha konkluzionin nga debati. Rezultatet nga kjo mbledhje janë të mira, debati është i dobishëm, prandaj të praktikohet që Byroja edhe në të ardhmen të mbajë mbledhje të këtilla me shokët nga terreni për çështje të caktuara (e ka fjalën për përfaqësuesit, përkatësisht të besuarit e UDB-ës nga rrethet – Q. L.). Kjo do ta lehtësojë edhe punën e vetë ekipit. Nga kjo do të shihet se sa ekipi u ka ofruar ndihmë organizatave partiake për atë çështje.

Unë e shoh të arsyeshme që në përfundim të debatit të ndalem për disa çështje për përmendjen e personaliteteve të ndryshme. Tendencë të atillë nga disa shokë tanë që të shohin në atë mënyrë është e parregullt. Në qendër të asaj çështje është komiteti. Për këtë gjithmonë gabohej, megjithëse shumë herë është debatuar. Këtu në thelb shprehet një dozë mosbesimi ndaj shqiptarëve. Një politikë e tillë e veprimit detyrimisht do të na çojë të mendojmë se maqedonasit janë kombi sundues, një tendencë e tillë që shprehet te disa kuadro tonë. Nëse nuk jemi të aftë ta eliminojmë shovinizmin te elementi shqiptar jo përmes pushtetit, por në kuptimin e edukimit të tij që të jetë besnik ndaj ndërtimit socialist, të socializmit, atëherë do të thotë se nuk jemi aq bindës te masat, nuk jemi mjaftë të sinqertë, pra se politikisht punojmë dobët. Nëse dëshiron ta përvetësosh atë pakicë, atëherë je i detyruar të punosh natë e ditë, ta ngresh, edukosh.

Kur flitet për çështjen nacionale sjellja jonë ndaj shqiptarëve duhet të jetë në bazën e luftës klasore, sepse vetëm përmes diferencimit klasor në mesin e shqiptarëve mund të arrihet deri te uniteti me maqedonasit. Nuk kuptohet se çështja nacionale qëndron prapa luftës klasore, se ajo nuk duhet të futet para luftës së klasës.

Lidhur me atë perspektivë dhe lidhur me Markon, kjo tash më është zgjidhur dhe studiuar dhe është shumë e qartë se si partia jonë e shtron atë. Por, është plotësisht e saktë edhe ajo çfarë flitet se e kemi anashkaluar ata perspektivë. Ajo që thuhet se ekziston shovinizmi maqedonas, është e saktë dhe këtu bëhet fjalë për shtrembërimin e linjës partiake. Kjo çështje u zgjodh që nga vitet 1945-46 dhe që nga ajo kohë luftojmë me vështirësi të ndryshme. Është plotësisht e parregullt dukuria që organizatat partiake bazë maqedonase u dërgojnë vetëm maqedonas, ndërsa në ato shqiptare vetëm shqiptarë. Te ato maqedonase duhet të dërgohen shqiptarë, ndërsa te ato shqiptare maqedonas.

Ekziston tendenca e lëvizjes së popullsisë, kryesisht në krahinat pasive, lënia e atyre krahinave në pjesë më të madhe nga maqedonasit. Kjo nuk duhet të ndërpritet. Madje, sa më shumë që të ketë, aq më mirë do të jetë. Këtu nuk duhet të ekzistojë frika nga ato masa shqiptare. Popullsia maqedonase është më inteligjente, më e shkathtë dhe e sheh se ku ka kushte më të mira për jetë. Ndërsa shqiptarët, për shkak pavetëdijes ngel në vendin e tyre, e jo për shkak të ndonjë vetëdije të lartë nacionale. Atë vetëdije nuk e posedon dhe sa më shumë që të ketë lëvizjë më mirë është, sepse përmes saj ata njerëz do të ndërtohen (del sheshit se kjo deklaratë e njeriut të parë të partisë, në Maqedoninë komuniste përkon me projektin e Çubrilloviçit, i lexuar në Klubin kulturor serbë më 1937 në Beograd – Q. L.). I tillë është rasti me minatorët nga Zajazi dhe të punëtorëve të ndryshëm nëpër sipërmarrje. Kjo është vetëm pozitive.

Opinioni i gjerë shqiptar përmes fejtoneve e dokumenteve të shumta të botuara në gazetën shqiptare KOHA – Shkup, është informuar gjerësisht për procesin e shpërnguljes masive të popullsisë shqiptare nga trevat verilindore, përkatësisht veriperëndimore të Maqedonisë së sotme për në Republikën e Turqisë, i cili proces filloi në pjesën e dytë të vitit 1953. Paraprakisht, udhëheqja komuniste jugosllave, për bartës të këtij procesi emëroi duetin e njohur komunist maqedonas, Llazër Kolishevskin dhe Kërste Cërvenkovsin, ndërsa RP të Maqedonisë, si territor nga ku do të fillonte realizimi praktik i tij.

Për rrjedhojë, Byroja Politike e PKM-së, në janar të vitit 1952, nga radhët e veta formoi një komision, me detyrë “të kryej hulumtimin e hollësishëm të situatës politike të popullsisë shqiptare”. Për kryetar të komisionit u emërua Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Mito Temenugov, Reis Shaqiri, Boge Kuzmanoski, Tome Buklevski – Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Komisioni në fjalë, hartoi edhe një plan të punës, për të cilin u zhvillua një debat i gjerë.

Krahas miratimit të Analizës, në mbledhje u sollën edhe disa konkluzione, lidhur me problemet politike, arsimore, ekonomike dhe organizative në territoret e mësipërme, ku ftoheshin organizatat partiake dhe ato masive të rretheve që të punonin: “..në përmbysjen e tendencave nacional-shoviniste, si dhe në vendosjen e punës aktive të luftës kundër tendencave të zhvilluara për bashkimin e Shqipërisë nëpërmjet komiteteve perëndimore.” Kjo, për kreun e Byrosë Politike, ishte e domosdoshme, sepse, siç thuhej në dokument: “Lufta e jonë për përmbysjen e Shqipërisë së Enverit tashmë ka dhënë rezultate të duhura, mirëpo mungesa e punës sonë të deritanishme për çështje tjera, përhap tendenca të tilla për bashkimin e Shqipërisë, nëpërmjet komiteteve perëndimore ose për Shqipërinë e bashkuar pa Enverin dhe Rusinë”. Për kreun e PKM-së, gjendja më kritike ishte në rrethet e Tetovës, Gostivarit dhe të Dibrës, ku siç vihej në dukje: “kohëve të fundit gjendja në këto rrethe ka ardhur deri në atë shkallë, saqë as organizatat partiake, as pushteti ose UDB-ja, nuk janë të sigurt cilit t’i besojnë..” dhe se: “e tërë kjo është zhvilluar në linjën shqiptaro-madhe, qoftë për çështjen e lidhjeve me çetat e armatosura nga Shqipëria ose lidhur me agjenturën e komiteteve perëndimore shqiptare, duke shprehur mosbesim dhe shovinizëm ndaj pushtetit dhe partisë sonë.”.

Aleksoski në vazhdim të mbledhjes do të thotë se për lajmërimin e parullës për Shqipërinë e madhe. Kjo është e njëjta, siç ishte parulla për Bullgarinë e Shën Stefanit, cenimi i vëllazërim bashkimit, shpërndarja e shovinizmit dhe lufta kundër Jugosllavisë socialiste, pas së cilës fshihet politika e Bashkimit Sovjetik. Për shkak se jemi vend socialist dhe jemi të vetmit në botë që e kemi rrugën e drejtë.

Çështja e gjuhës është shumë e rëndësishme. Duhet seriozisht të shkojmë kah ajo që masave t’u ofrojmë gjuhë të tillë, e cila do të jetë i kuptueshëm për ta. (mendohet për gjuhën letrare shqipe, që asaj kohe autoritetet komuniste jugosllave angazhoheshin që e njëjta të dallohet nga ajo në Shqipëri – Q. L.).

Gjithashtu është e rëndësishme edhe çështja e asimilimit. Duhet të luftojmë kundër dukurisë për turqizimin apo shqiptarizimin, sepse kjo do të ishte asimilim i dhunshëm. Në fakt, të gjithë ata janë mysliman.

Flitet për inteligjencën (shqiptare – Q. L.). Edhe këtu nuk kuptohet drejtë se e njëjta nuk është e mirë. Edhe e jona nuk është më e mirë, vetëm se, dallimi është në atë se e jona numerikisht është më e madhe, ndërsa kjo më e vogël. Ajo krahasuar me tonën është shumë më e prapambetur në çdo pikëpamje dhe prandaj duhet që tërë peshën ta hedhim te inteligjenca apo ulematë e ngjashëm, por të hedhet në pasivitetin e organizatave partiake.

Në tërësi pajtohem me atë se në parti të pranohen në mënyrë më masive anëtarë, sidomos nga radhët e rinisë që ka marrë pjesë në ndonjë punë aksionare ose të kthyerit nga Armata.

Mirë është që kursi për mësues u kthye në Shkup. Të hapim shkollë të ulët partiake për shqiptarët, ndërsa tonat të mbyllen. Në shkolla të futet programi aktiv, madje të mbahen ligjërata edhe në gjuhën maqedonase. Tërë kuadri mësimor të kalojë përmes seminareve e kurseve, për çka duhet të hapen në Gostivar, Tetovë, Dibër, Kërçovë.

Lidhur me përpunimin e anëtarëve të partisë nga ana e UDB-ës. Kjo praktikë është e parregullt. Partia edukon kuadro të jenë besnik ndaj vendit të tij dhe ndërtimit të socializmit dhe çdo anëtarë të saj është e obliguar ta mbrojë dhe të luftojë për atë. Ndërsa është tjetër çështja që UDB të shfrytëzohet me anëtarët e PK-së për ndonjë çështje konkrete apo detyrë konkrete”.

{gallery}