Arbëri

Të prekurat me kancer të gjirit përballen me mungesë barnash dhe mosfunksionim të aparaturave në QKUK

Mamografi mobil për tri vjet të ekzistencës së tij më shumë ishte jofunksional sesa në shërbim të grave.

Njëjtë ka ndodhur edhe në gjashtë muajt e fundit, pasi që me këtë aparaturë nuk është kryer asnjë kontrolli, përmes të cilit do të identifikoheshin gratë e prekura me kancer të gjirit. Mamografi kishte një defekt, raporton KTV.

Por, funksionalizimi i tij i papritur duke e dërguar në Burgun e Lipjanit për t’u shërbyer grave të dënuara më burg ishte befasues për Nafije Latifin nga qendra “Jeta Vita”.

Latifi shpreson se rregullimi i tij nuk është bërë vetëm për interes të dikujt, derisa për shumë muaj qëndroi i mbyllur.

Sidoqoftë, numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit mbetet shqetësues edhe për Kosovën, sikur edhe në vendet tjera në rajon.

Kjo lloj sëmundjeje nuk ka kursyer as këtë vit shumë femra.

Madje, shifrat flasin për tejkalim të atyre të një viti më parë, por që kjo ka ndodhur si rezultat i raportimeve.

Ndërkohë, tetori shënon muajin e vetëdijesimit të kancerit të gjirit.

Përveç aktiviteteve të shumta, të cilat do të mbahen përmes ligjëratave vetëdijesuese, në nëntë komuna të vendit, në fund të muajit do të realizohet edhe “Ecja kundër kancerit 2017”, organizuar nga shoqata “Jeta-Vita”.