Azilkërkuesit e deportuar shqiptarë – realitet i hidhur pas kthimit në vendlindje Foto: Koha / ilustrim

Azilkërkuesit e deportuar shqiptarë – realitet i hidhur pas kthimit në vendlindje

21 tetor 2017 18:47

Azili ekonomik në vendet e Bashkimit Evropian u pa nga shqiptarët për disa vite si shpresa e vetme për një jetë me të mirë. Vetëm në Gjermani në vitin 2015, pati afro 55 mijë shqiptarë që kërkuan azil, shumë prej të cilëve pas një periudhe u deportuan.

Por realiteti që azilkërkuesit e rikthyer gjetën ishte më i keq nga ai që lanë kur ikën, me plot sfida për riintegrimin dhe ngritjen e ekonomisë familjare.

Afro 55 mijë shqiptarë kërkuan azil ekonomik në Gjermani gjatë vitit 2015, duke u renditur si vendi i dytë i origjinës me më shumë azilkërkues, pas Sirisë.

Shpresa për një jetë më të mirë dhe ekonomi familjare më të fortë i shtyu drejt këtij veprimi edhe Kujtim Varfin e Nest Gjinin bashkë me familjet e tyre.

Ata pranojnë të ndajnë me Ora News dy vitet e kaluara në kampet e Gjermanisë në pritje të vendimit të shumë dëshiruar, por edhe arsyet për të cilat lanë pas gjithçka kishin.

Kujtim Varfi: Kam qenë i papunë, me ndihmë ekonomike vetë i gjashti. Merrja 60 mijë lekë në muaj. Jetë shumë e vështirë. Kam shkuar në Gjermani.

Nest Gjini: Me shpresë shumë më të mirë se këtej, ishte më mirë se këtu. Si nata me ditën. Atje ka shtet, këtu nuk ka shtet, vetëm drita e të madhit Zot.

Rregullat e forta të shtetit gjerman bënë që ata të deportoheshin sërish në Shqipëri. Por pas kthimit, thonë se gjetën një realitet edhe më të egër, mes varfërisë e papunësisë

Kujtim Varfi: Kur jam kthyer në Shqipëri kam futur fëmijët në shkollë por këtu mbeta pa punë. Prej 8 muajsh po kërkoj ndihmën ekonomike dhe akoma nuk e kam marrë.

Nest Gjini: Në jetën e përditshme mundohemi me jetu, por në mëshirë të Zotit. Vetë pa punë, nusen pa punë.

Kur i pyet nëse do të largoheshin sërish, përgjigja është pamedyshje që PO.

Kujtim Varfi: Do të kisha shkuar natën atje dhe besoj se fëmijët e mi do të bënin një jetë madhështore. Shqipëria është e bukur, Shkodra është e bukur, vetëm i mungojnë lekët.

Nest Gjini: 100% në 12 të natës dhe në 12 të ditës, nuk bëhet fjalë.

Më 25 qershor, Varfi dhe Gjini thonë se ju drejtuan kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre, por kanë pak besim se diçka do të ndryshojë për mirë në këto 4 vite.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme