Arbëri

Haradinaj, mes shumë takimesh, sot priti në zyrë edhe nënën, motrat e kunatën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme, ka zhvilluar disa takime në zyrën e tij në Qeverinë e Kosovës.

Haradinaj, pasi takoi Shoqatën Lidhja e Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës, të udhëhequr nga Mustafë Prenku, priti në zyrën e tij edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, raporton Koha.net.

Të dy këtyre kategorive, kryeministri Haradinaj u ka premtuar mbështetje.

Ai tha se Qeveria që ai drejton do të jetë e përkushtuar në mbështetje të kategorive të dala nga lufta e Kosovës, pra edhe viktimat civile.

Image

Kryeministri i Kosovës u informua nga Prenku për punën që ka bërë kjo Shoqatë si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet. Ai tha se ka të evidentuara 500 raste të dhunës seksuale dhe se rreth 400 i ka paraqitur edhe në EULEX.

Prenku ka kërkuar nga kryeministri që kjo shoqatë të përfaqësohet në komisionin qeveritar për identifikimin dhe verifikimin e statusit të kësaj kategorie.

Haradinaj ka zhvilluar takim edhe me përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, të udhëhequr nga kryetari i kësaj Shoqate, Naser Bajraktari, të cilëve Haradinaj u tha se do të jap mbështetjen maksimale të tij dhe të Qeverisë që drejton.

Image

“Prodhuesit janë vija e parë e zhvillimit ekonomik, andaj do t’ju qëndroj afër me përkushtimin më të madh”, theksoi kryeministri.

Më pas, ai ka pritur në zyrën e tij edhe përfaqësuesit e Federatës së Boksit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Ramadan Selimi dhe anëtarët e bordit, Agim Tahiraj dhe Sylë Morina.

Ai ka përgëzuar këtë Federatë për punën që ka bërë, duke u zotuar se edhe më tutje do të vazhdojë të përkrah sportet.

Image

Kryetari i Federatës, Ramadan Selimi, e ka informuar kryeministrin për përgatitjet që janë duke u bërë në organizimin e Turneut Ndërkombëtar “Adem Jashari”, që mbahet më 3,4 dhe 5 nëntor në Prishtinë.

Turneu, i 19-ti me radhë, do të sjell në Prishtinë boksierët nga shtete të ndryshme, në arenën më të madhe të boksit në vend.

Ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se në zyrën e tij sot ka pasur edhe disa mysafirë shumë specialë, nisur nga nëna e tij Ruka, e shoqëruar nga motrat e tij, Mema dhe Antigona, si dhe kunata Suzana.

“Secili takim me nanën na i freskon kujtimet e fëmijërisë dhe të rritës, na i kujton vuajtjet por edhe ëndrrat dhe gëzimet familjare. Sot më zbukuruan ditën me vizitën e tyre nana ime, Ruka, dhe motrat Mema e Antigona, si dhe kunata Suzana, që erdhën nga Gllogjani për t’më uruar për përgjegjësitë që kam marrë për ta drejtuar Qeverinë e vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Image

Ai ka thënë se i është mirënjohës nënës “dhe i përkulem, jo vetëm që më ka sjellë në këtë botë, por mbi të gjitha si nanë e dashur dhe durimtare e dhjetë fëmijëve”.

“Duart e nanës janë vet metafora e jetës, ato na kanë ushqye, përkëdhelë e vënë në gjumë, ato duar na kanë dhënë ngrohtësi, na kanë ngritur lartë, deri në nivele më siperane të jetës! Prandaj, dashuria individuale për nanën është njëherësh edhe universale dhe më inkurajon që gjithnjë të jem në shërbim të të gjithë njerëzve të Kosovës, pa dallim, i dashur dhe i kujdesshëm për me i dalë në ndihmë secilit njeri që ka halle. Faleminderit nanë”, përfundoi Haradinaj.