Në kërkim të Habilajve, kontroll pronave dhe parave

Në kërkim të Habilajve, kontroll pronave dhe parave

21 tetor 2017 14:00

Policia e Vlorës po vijon kontrollet në disa objekte dhe prona në pronësi të vëllezërve Habilaj, për kapjen e pjesëtarëve të kësaj bande, por edhe sekuestrim të lëndëve narkotike, që dyshohet të jenë fshehur në këto ambiente.

Po ashtu policia e qytetit bregdetar ka referuar në Prokurori, materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, për 3 aktivitete biznesi, 5 automjete dhe një mjet lundrues. Drejtori i policisë së Vlorës, Gentian Shehaj në një dalje për mediat u kujdes të theksonte se uniformat blu nuk kanë qëndruar pasiv ndaj bandës “Habilaj”.

“Në lidhje me aktivitetin kriminal të këtij grupi theksojmë edhe njëherë faktin se Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në datën 30 Prill 2017 ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materialet proceduriale për grupin kriminal të njohur si ‘Habilaj’, pas informacioneve të siguruara për aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”, tha Shehaj.

Policia po bashkëpunon edhe me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij grupit kriminal “Habilaj”.

Ndërkohë në Vlorë policia arrestoi edhe 42-vjeçarin Fredi Hoxhaj i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Catanzaros, Itali për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

Edhe në Tiranë blutë kanë vënë në pranga Adriano Ademin, 45 vjeç, i cili rezulton i dënuar nga Gjykata e Pordenones Itali, me 9 vjet burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme