Arbëri

Arrestohet Nezar Seitaj, hallka e bandës Habilaj me Kosovën

Policia ka kapur të premten Nazer Seitajn, njëri prej pjesëtarëve të bandës së Habilajve, i ngarkuar për pjesën logjistike të grupit, por edhe për të lëvizur mes Shqipërisë e Italisë, madje edhe në Kosovë. I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Katanias në Itali për trafik të lëndëve narkotike, ai u arrestua natën e së enjtes, në periferi të Vlorës, në fshatin Babicë e Vogël, ku më herët gjatë arrestimit të një personi tjetër të përfshirë në këtë rrjet u sekuestruan edhe 4 tonë drogë të llojit cannabis sativa, shkruan sot Koha Ditore.

Bazuar në përgjime ka rezultuar se 40-vjeçari Nezar Seiti në një bisedë telefonike me anëtarin tjetër të grupit, Armand Sulaj, në janar të 2017-s ka nxjerrë në pah përfshirjen edhe të Kosovës në këtë trafik. Gjykata e Katanias në dosjen prej më shumë se 416 faqesh që vulosi fatin e Moisi Habilajt dhe bandës së tij përmend në faqen 385 edhe Kosovën. Seiti gjatë bisedës i thotë Sulajt se i duhej të udhëtonte drejt Prishtinës, ku do të merrte 200 mijë euro, ndërkohë që, sipas bisedës, rezulton se personi i kontaktit në Prishtinë nga ky transaksion kishte fituar 14 mijë euro.