Arbëri

Heqja e imunitetit për Tahirin mbetet për nesër

Për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri do të vendoset të shtunën paradite, kur do të mblidhet sërish Këshilli për Imunitetet dhe Mandatet.

Ka qenë ky vendimi që kryetari i këshillit, Gramoz Ruçi i ka komunikuar mbrojtjes së Tahirit në përfundim të mbledhjes, pasi ka dëgjuar pretendimet e të gjitha palëve, përfshirë të opozitës dhe prokurorëve.

Mbledhja filloi me avokatin e Tahirit, që kërkoi shtyrjen e marrjes së vendimit, duke deklaruar se, një mbrojtje e arsyeshme kërkon një afat kohor prej 3 ditësh. Kërkesë kjo që ka shkaktuar një debat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Enkelejd Alibeaj, nga PD tha se kjo është alibia e radhës drejt pandëshkueshmërisë.

“Po vendosni ta shtyni. Zoti kryetar ju po shkelni procedurën. Sot nuk kemi për qëllim t'i vëmë prangat dikujt. Ky është momenti i së vërtetës për reformën në drejtësi. Keni pasur kohë, keni pasur dosjen, nuk ka elementë të rinj siç deklaroni, ndaj duhet të vijojmë një orë e më parë me procedimin. Boll kohë u kemi dhënë shkelësve të ligjit të prishin provat”, ka thënë Alibeaj.

Por Bledi Çuçi, nga PS, ka thënë se ai personalisht nuk do ta zgjaste një sekondë, siç e ka quajtur, këtë farsë të ardhur nga prokuroria.

“Por këtu jemi për të respektuar procedurat parlamentare, përfshirë të drejtat e çdokujt para Kushtetutës dhe ligjit. Nëse deputetit që akuzohet për një krim shumë të rëndë dhe prokuroria ka ardhur për ta arrestuar nuk i lind e drejta që të mbrohet, ky është një turp i këtij Parlamenti. Një kërkesë e tillë u bë për Lulzim Bashën në 2007. U bënë 6 mbledhje të Këshillit, më shumë se dy muaj kohë. Kurse ai po kërkon 3 ditë, brenda datës që kemi caktuar si seancë plenare. Jemi brenda çdo afati procedurial. Unë jam i bindur që kemi të bëjmë me një farsë. Por duhet të dëgjojmë deri në fund personin. Është në nder të këshillit që ne t'i lëmë afat mbrojtjes”, ka thënë ai.

Genti Strazimiri, i PD-së ka thënë se “mbrojtja bëhet në gjykatë, jo këtu”.

Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Eduard Halimi, ka bërë një krahasim me vitin 2007, kur siç ka kujtuar Lulzim Basha ka kërkuar vetë t’i hiqet imuniteti.

“Ka ardhur këtu në sallë dhe ka thënë ma hiqni imunitetin sot. E dyta, në 2007 prokuroria nuk ka kërkuar arrestimin e Bashës dhe Basha nuk akuzohej për përfshirje në trafik droge. Sot është një akuzë e tillë dhe kërkohet arrestimi i deputetit. Provat e sjella nga prokuroria janë të mjaftueshme për dyshime të arsyeshme”, ka thënë ai.

Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit ka thënë se “nuk mund të vijë asnjë organ tjetër dhe t’i thotë këshillit miratojeni sot. Organi i akuzës ka atributin për ta ndaluar Saimir Tahirin dhe ne rregullorja na lejon që brenda 4 ditëve të shprehet po ose jo. Në rastin konkret, prokuroria ka paraqitur një kërkesë që kërkon ndalimin dhe sipas rregullores, ky Këshill ka në dispozicion 4 javë. Dhe parlamenti e vendos në seancën më të parë, në fillim të rendit të ditës”.

Prokurori i çështjes, siç raporton Top Channel ka thënë se i kanë parashtruar kërkesat, argumentet dhe arsyet përse kërkohet një autorizim sot.

“Ne nuk e dimë se cili mund të jetë vendimi juaj, kështu që nuk mund të shprehemi”, ka thënë ai.

“Vlerësoj se është e domosdoshme marrja në konsideratë e kërkesës, zotërinj të palës mbrojtëse, e hëna është vonë. Keni kohë deri nesër. Nesër në orën 10 duhet të vini këtu. Me deputetin Basha ka zgjatur 60 ditë mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve”, ka thënë Gramoz Ruçi, kryetar.