Arbëri

Kuvendi shqyrton nesër kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit për Tahirin

Këshilli i Rregullores dhe Mandateve do të mblidhet paraditen e së premtes për të vendosur në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi doli në një konferencë për mediat, ku konfirmoi marrjen e kërkesës së prokurorisë për ndalimin e ish-ministrit të Brendshëm.

Ruçi deklaroi se janë njoftuar të gjitha palët e përfshira në këtë proces dhe se të premten në orën 11:00 do të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve.

“Sot, brenda datës 19 kam dhënë urdhër me këtë përmbajtje; së pari, materiali i depozituar nga prokuroria t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve; së dyti, t'i vihet në dispozicion deputetit Saimir Tahiri; së treti brenda ditës së nesërme, në orën 11:00 pranë selisë së Kuvendit, thirrjen e Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve dhe njoftimin e prokurorëve për vendin, kohën dhe rendin e ditës së mbledhjes”, tha Ruçi.

Prokuroria do të paraqitet në këtë mbledhje me prokurorët Elizabeta Imeraj, Vladimir Mara dhe Besim Hajdarmataj.

Pas kësaj deklarate të Gramoz Ruçit, ka reaguar Partia Demokratike. Eduard Halimi doli për mediat, nga ku akuzoi kreun e Kuvendit se po kërkon kohë që të shkatërrohen provat që e lidhin, sipas opozitës, Saimir Tahirin me Edi Ramën.

“Kemi pritur sot mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve lidhur me kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit. Edi Rama nuk e do drejtësinë prandaj qëllimisht e vonon mbledhjen e Këshillit për t’i hapur rrugën për hetimin, arrestimin e Saimir Tahirit. Dënojmë ashpër qëndrimin e Gramoz Ruçit i cili tregoi edhe njëherë se është një vegël në duart e Edi Ramës për ta përdorur në ditë të vështira si kjo e sotmja, kur kërkon kohë vetëm e vetëm që të shkatërrojë provat e krimit që lidhin Saimir Tahirin me Edi Ramën. Çdo minutë që kalon është në favor të krimit. Çdo minutë që kalon është kundër drejtësisë dhe kundër qytetarëve. Kjo është e vërteta. Nesër do jemi patjetër në orën 11:00”, tha Halimi.

Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve i kërkohet hartimi i një raporti, që më pas paraqitet në Kuvend në seancë plenare për votim.

Seanca më e afërt është ajo e së mërkurës dhe në të nuk ka debate, por deputeti Saimir Tahiri mund t’u përgjigjet pyetjeve të kolegëve të tij. Në fund bëhet votimi dhe mjafton një shumicë e thjeshtë për heqjen e imunitetit.