Veliaj e Noizy shërbejnë drekë në Tiranë për ditën e lumturimit të Nënës Terezë

Veliaj e Noizy shërbejnë drekë në Tiranë për ditën e lumturimit të Nënës Terezë

19 tetor 2017 16:34

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, u ka shërbyer drekë njerëzve në nevojë në kuadër të ditës së lumturimit të Nënës Terezë. Ai u shoqërua edhe nga këngëtari i njohur Noizy.

Ata kanë qenë në një nga shtatë qendrat sociale të bashkisë “Të qëndrojmë së bashku”.

Veliaj theksoi se vepra e Nënë Terezës, na frymëzon për më shumë dashuri ndaj atyre që janë në vështirësi.

“Jam shumë i lumtur që jam sot bashkë me Noizyn në ditën e Nënë Terezës, për t’u shërbyer atyre që nuk kanë të gjitha mundësitë që ndoshta ka shumica e Tiranës, që janë të moshuar dhe fëmijët i kanë larg. Në ditën e Nënë Terezës, mënyra më e mirë për ta përkujtuar atë është duke u shërbyer atyre që janë më nevojtarë. Sot bëmë diçka të vogël me dashuri të madhe, që shpresoj se do të kopjohet nga të gjithë. Besoj se kjo energji dhe kjo dashuri që na frymëzon vepra e Nënë Terezës, të lërë një impakt në qytetin tonë dhe në çdo cep të Tiranës ku ka nevojë për më shumë solidaritet”, ka thënë Veliaj, shkruan “Top-Channel”.

Bashkia e Tiranës ka ngritur aktualisht 7 qendra sociale ku ofrohet një vakt i ngrohtë dhe kujdes shëndetësor.

“Kemi 7 qendra sociale ku shërbejmë ushqim, ku kemi kujdes shëndetësor, kujdes psikologjik dhe për të gjithë ata njerëz që e kuptojnë që në Shqipëri jo çdo gjë është perfekte kanë një mundësi konkrete se si mund të shërbejnë dhe se si mund të kontribuojnë”, ka shtuar Veliaj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme