Arbëri

Bullgaria në vazhdimësi ka mbështetur Kosovën në rrugën euroatlantike

Prishtinë, 19 tetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, znj. Ekaterina Zaharieva.

Në njoftimin për media nga ky takim, thuhet se presidenti Thaçi pasi i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Kosovës gjatë procesit të shtetndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ka shtuar se “Bullgaria është partner strategjik i Kosovës dhe se Bullgaria në vazhdimësi ka qenë një mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”.

“Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira bilaterale. Tani kemi nevojë për një bashkëpunim më të madh ekonomik ndërmjet të dyja vendeve”, ka theksuar Presidenti.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva ka thënë se Bullgaria mbështet të gjitha përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon.

“Duhet të shikojmë nga e ardhmja në paqe e bashkëpunim”, u shpreh ajo.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Bullgarisë.