Arbëri

Kronikë e KTV-së për dënimin nga Gjykata të ish – rektorit Enver Hasani

Ish-rektori Enver Hasani është dënuar me 1 vjet burg me kusht nga Gjykata në Prishtinë në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për Universitetin e Prishtinës, raporton KTV.

Por vetë i dënuari Hasani ka munguar në shpalljen e këtij aktgjykimi.

Gjykata gjithashtu fajtor i ka shpallur edhe dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Albert Rakipin e Hakif Veliun.

Të dy këta janë dënuar me nga gjashtë muaj burg, masë e cila u mundësohet të zëvendësohet me gjobë prej 10 mijë eurosh.

Gjithashtu, tre të akuzuarit detyrohen nga gjykata që t’ia kompensojnë UP-së dëmin prej 70 mijë eurosh në mënyrë solidare.

Këtë vendim trupi gjykues e ka bazuar në prova dhe dëshmi.

Ndërkaq, këtë vendim avokatët mbrojtës të të dënuarve e kanë quajtur të padrejtë, për çka kanë paralajmëruar se do të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Prokurorja e rastit, Drita Hajdari, ka thënë se do ta vlerësojnë aktgjykimin dhe më pas do të vendosin se a do të bëjnë ankesë apo jo.

Më herët gjatë këtij viti, Enver Hasani ishte shpallur i pafajshëm në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim, në rastin sa ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese.