Arbëri

Ish-kryetari i Kushtetueses akuzon kryeprokurorin e Shtetit për falsifikim të provimit të Jurisprudencës

Enver Hasanin, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë sot e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht për mashtrim në detyrë, që lidhet me aferën e përkthimit të librave për nevojat e Universitetit të Prishtinës, në kohën kur ai ishte rektor i tij. Bashkë me Enver Hasanin po për këtë vepër me nga 6 muaj janë dënuar edhe Albert Rakipi nga Tirana, dhe Haki Veliu.

Pas shpalljes së këtij vendimi, ish rektori i UP-së dhe ish-kryetari Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasni, ka shpërndarë sot një raport, siç është shprehur vetë ai, të hetimit të tij personal në lidhje me provimin e jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, duke e cilësuar provimin si falsifikim.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektor i UP-së, Enver Hasani, ish-shefi i prokurimit në UP, Hakif Veliu e drejtuesi i Institutit për Studime Ndërkombëtare, akuzohen nga Prokuroria Speciale për ‘mashtrim në detyrë’.

Kjo vepër, varësisht nga lartësia e përfitimit të personit zyrtar, është e dënueshme me gjobë dhe me nga 6 muaj deri në 12 vjet burgim.

“Iu rreka punës për të vërtetuar pohimet e lajmit..., i cili thoshte se Aleksandër Lumezi nuk ka provim të jurisprudencës të vlefshëm ligjërisht”, shkruan Hasani.

“Dosja Aleksandër Lumezi paraqitet si një dosje (dhe procesverbal) tjetër dhe me të meta jashtëzakonisht të dukshme e serioze kundrejt secilës dosje (dhe procesverbali) tjetër”, thekson Hasani.

Në vazhdim ai shton se “Emri Aleksandër Lumezi figuron si i vetmi që është falsifikuar, sepse është shkruar mbi një emër tjetër, i cili emër tjetër është i fshirë me llak të bardhë (“tipex”), që do të thotë se ka një emër tjetër nën emrin e Aleksandër Lumezit, e që duket qartë se është emër i një serbi”.

Po e botojmë të plotë Raportin e Enver Hasanit,siç e ka quajtur ai “MBI DOSJEN E FALSIFIKUAR, DOSJA “02 Broj 152-1-217/90, Priština, 27.02.1991 god.”, QË KA TË BËJË ME PROVIMIN E JURISPRUDENCËS SË ALEKSANDËR LUMEZIT”, drejtuar në adresë të redaksisë me këtë sqarim:

“Ky e-mail ka tri shtojca të të njëjtit raport: një shtojcë është e skanuar dhe mban nënshkrimin tim, tjetra është në “word” dhe, e fundit, gjendet shtojca me raportin në gjuhen angleze.

Përkthimin e raportit në gjuhen angleze e kam bere vet . Si i tillë , ai iu dërgohet të gjitha vendeve të Kuintit në Kosove , të cilat i kane dhënë Kosovës pasuri pafund nga taksat e qytetarëve te tyre me qellim qe ta ndihmojnë për të ecur drejt rrugës se integrimeve euro-atlantike dhe kulturës se tyre juridiko-politike. Këto vende kanë të drejte te dinë për këtë rrethanë që ka të bëjë me ty, krahas qytetarëve dhe opinionit publik në Kosovë dhe mëgjerë. Përfaqësuesit e këtyre vendevejanë me ty në “cc” të këtij mesazhi, siç mund ta vëresh edhe vetë. Përveç tyre, raporti u dërgohet edhe përfaqësuesve të institucioneve partnere të Kosovës: BE, KE dhe OSBE”.

RAPORT

MBI DOSJEN E FALSIFIKUAR, DOSJA “02 Broj 152-1-217/90, Priština, 27.02.1991 god.”, QË KA TË BËJË ME PROVIMIN E JURISPRUDENCËS SË ALEKSANDËR LUMEZIT

PROCEDURA E NDJEKUR NË ARKIVIN E KOSOVËS DHE METODOLOGJIA E HULUMTIMIT

Pas zërave që kisha dëgjuar kohë më parë se Aleksandër Lumezi kishte falsifikuar provimin e jurisprudencës, vendosa të nis një hulumtim vetjak për të konstatuar të vërtetën.

Nuk mund të besoja se një gjë të tillë mund ta bënte dikush që ka pak mend në kokë, ani se pas mbarimit të luftës në Kosovë, më 10 qershor 1999, dhe pas kaosit që ishte krijuar më pas, ishin shënuar disa raste të tilla, pra raste të falsifikimit të provimeve të jurisprudencës. Ata që kishin bërë një gjë të tillë kishin shpresuar se askush nuk do të shikonte dosjet origjinale nëse gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët kosovarë kishin letra ligjërisht të vlefshme për të ushtruar profesionet e tyre.

Po ashtu, kisha dëgjuar se disa prej tyre kanë dhënë provim të jurisprudencës në Beograd, te Vojisllav Shesheli, një ndër hitleritët lokalë në Ballkanin e trazuar të dekadës së fundit të shekullit që lamë pas.

Një pjesë e tyre, pra e kosovarëve që kanë dhënë provim te Vojisllav Shesheli, ushtruan pozita të larta në sistemin kosovar të drejtësisë, si p.sh. kryetarë gjykatash, noterë, avokatë, prokurorë, e kështu me radhë.

Kjo, megjithatë, nuk çon peshë nga shkaku se, në aspektin ligjor, dhënia e provimit nga ana e tyre kishte ndjekur një procedurë ligjore të kohës së vet. Kjo rrethanë dhe ky fakt i bë të gjithë këta persona ligjërisht të përshtatshëm për të ushtruar profesionin e gjyqtarit, të prokurorit dhe të avokatit dhe, për pasojë, edhe për të mbajtur pozitat drejtuese në organet kryesore të drejtësisë në Kosovë, si kryetarë gjykate, kryeprokurorë, kryenoterë, kryeavokatë dhe kështu me radhë.

Dilemat dhe defektet që rëndojnë mbi këta persona janë të natyrës morale, kryesisht etike. Ata e marrin me veten e tyre në botën përtej varri çdo rëndësi morale e etike: shoqëria nuk ka punë me ta.

Në fakt, shoqëria kosovare ka pasur të tillë jo pak dhe kjo këtu fare nuk ka rëndësi. Me rëndësi është që ata nuk kanë shkelur ligjin e kohës, por moralin shoqëror dhe etikën vetjake.

Duke u nisur nga kjo e fundit, pra nga ligji si diçka absolute dhe të cilit i kisha shërbyer me devotshmëri gjatë tërë jetës sime, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim, ku kisha jetuar kohën më të madhe të jetës sime, iu rreka punës për të vërtetuar pohimet e lajmit si më sipër, i cili thoshte se Aleksandër Lumezi nuk ka provim të jurisprudencës të vlefshëm ligjërisht.

Pa provim të jurisprudencës nuk mund të jesh avokat, gjyqtar dhe prokuror, aq më pak të shërbesh si epror i institucionit të avokatisë, të gjyqësisë apo të prokurorisë. Kjo është sot kështu, ka qenë dje dhe do të jetë e tillë pafundësisht, sikur në çdo vend të civilizuar të kulturës juridike perëndimore.

Puna e parë që bëra ishte shikimi në ueb-faqen publike të Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës (PShRKS).

Në ueb-faqen e PShRKS-së thuhet se Kryeprokurori i Shtetit (KPSh), Aleksandër Lumezi, ka dhënë provimin e jurisprudencës më 25 prill 1991.

Hulumtimi im në Arkivin e Kosovës është bërë më 20 prill 2017, sipas kërkesës sime personale të bërë tri-katër ditë më herët se data 20 prill 2017.

Në fakt, dita e parë e hulumtimit është bërë në ditën e bërjes së kërkesës si më sipër.

Në kërkesë, kam kërkuar të bëhet hulumtimi për një kandidat (emri i të cilit këtu nuk ka rëndësi, sepse gjendet në kërkesën time me shkrim në Arkiv të Kosovës).

Krahas një emri të një kandidati, në kërkesë kam kërkuar të hulumtoj të gjitha dosjet e kandidatëve që kanë dhënë provimin e jurisprudencës gjatë vitit 1990-1991.

Dosjet më janë ofruar, përkatësisht vetëm dosjet bazike (dhe procesverbalet) e të gjithë kandidatëve që kanë dhënë (apo që kanë hyrë në) provimin e jurisprudencës gjatë vitit 1990-1991.

Për vitet 1990 dhe 1991, në Arkiv ekzistojnë dy kuti me dosje (dhe procesverbale), ku janë emrat e të gjithë kandidatëve dhe dosjet (dhe procesverbalet) e tyre jashtëzakonisht mirë të ruajtura.

Kutitë kanë formatin A4 me një thellësi pak më të lartë se ato të kutisë standarde për këpucë.

Në kutinë e parë, për vitin 1990, gjenden dy lista për dosjet (dhe procesverbalet) e kandidatëve që kanë dhënë (apo që kanë hyrë në) provimin e jurisprudencës.

Njëra listë i ka 142 (njëqind e dyzetedy) emra të kandidatëve, kurse tjetra vetëm 6 (gjashtë) emra, do të thotë gjithsej janë 148 (njëqind e dyzet kandidatë).

Emri i parë në listë është i kandidatit A. M. (shqiptar) kurse i fundit Zh. N. (serb).

Në kutinë e dytë, për vitin 1991, po ashtu gjenden lista për dosjet (dhe procesverbalet) e kandidatëve që kanë dhënë (apo që kanë hyrë në) provimin e jurisprudencës.

Njëra listë i ka 60 (gjashtëdhjetë) kandidatë, kurse tjetra 80 (tetëdhjetë) kandidatë. Do të thotë se gjithsej janë 140 (njëqind e dyzet) kandidatë.

Emri i parë është A. K. (shqiptar), i dyti Aleksander Lumezi, kurse në fund lista mbyllet me një serb që quhet Zhelko.

Listën e dytë nuk e kam shënuar, ani se e kam hulumtuar në detaje, jo për neglizhencë por për faktin se nuk çon asnjë peshë për çështjen që e raportojmë këtu.

Metodologjia e hulumtimit, si pjesë e një deformimi profesional të krejt neve që merremi me hulumtime shkencore nga lëmi juridik, është dogmatiko-analitike dhe krahasimore, ku secilën dosje e kemi parë dhe e kemi analizuar në dritën e legjislacionit të kohës dhe të legjislacionit aktual kosovar që ka të bëjë me kushtet e dhënies së provimit të jurisprudencës në mënyrë të ligjshme.

PËRSHKRIMI I DOSJES SË FLASIFIKUAR TË ALEKSANDËR LUMEZIT

Kam krahasuar dosjen e Aleksandër Lumezit dhe dosjet e kutisë së dytë, në të cilën gjenden dosje që ka të bëjnë me vitin 1991, pra e kam krahasuar me kutinë e dytë ku janë 140 (njëqind e dyzet) kandidatë.

Krahasuar me të tjerët nga kutia e dytë, dosja Aleksandër Lumezi paraqitet si një dosje (dhe procesverbal) tjetër dhe me të meta jashtëzakonisht të dukshme e serioze kundrejt secilës dosje (dhe procesverbali) tjetër, jo vetëm nga kutia e dytë por edhe nga kutia e parë.

Vetëm Aleksandër Lumezi dhe A. K. (nga Peja) janë shqiptarë, kurse të tjerët nga kutia e dytë janë kryesisht serbë, malazezë, boshnjakë dhe të tjerë.

Dosjet e kutisë së dytë, për vitin 1991, janë në tërësi dhe pa asnjë përjashtim në alfabetin serb cirilik. Përjashtim bën vetëm dosja e kandidatit të parë nga Peja (A. K.), i cili ka dosjen në shqip dhe në serbisht, kurse kandidati ka punuar në LRS (Lidhjen e Rinisë Socialiste) dhe provimin e ka dhënë më 10 dhe 11 korrik 1990.

Kjo do të thotë se dosja e kandidatit A. K. është futur aty vetëm për kamuflim, sepse kandidati A. K. e ka të dhënë provimin e jurisprudencës në mënyrë krejt të ligjshme në kohën kur Kosova ka organizuar vetë dhënien e këtij provimi dhe dosja i takon kutisë së parë.

Të fundit që kanë dhënë provim të jurisprudencës te Komisioni i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) në shqip dhe në serbisht (me alfabet latin, në mënyrë simultane dhe të barabartë me gjuhën shqipe) janë vetëm kandidatët nga kutia e parë si më sipër.

Kjo kuti, pra kutia e parë, fillon me kandidatin A. M. (shqiptar) dhe mbaron me Zh. N. (serb). Këtë e konstatuam më sipër.

Emri Aleksandër Lumezi figuron si i vetmi që është falsifikuar, sepse është shkruar mbi një emër tjetër, i cili emër tjetër është i fshirë me llak të bardhë (“tipex”), që do të thotë se ka një emër tjetër nën emrin e Aleksandër Lumezit, e që duket qartë se është emër i një serbi.

Jo vetëm kaq: falsifikimi është bërë me llak të bardhë (“tipex”) dy herë. Herën e dytë ndryshimi me llak të bardhë (“tipex”) është bërë në shkronjën e parafundit të emrit Aleksandër, nën të cilin, siç u tha më sipër, duket qartë se është një emër i një serbi.

Kjo sepse në gjuhën serbe dhe në gjuhët sllave pa përjashtim emri Aleksandër shkruhet si Aleksandar.

Në asnjë dosje tjetër në dy kutitë nuk kemi parë që është fshirë emri i ndonjë kandidati për t’u shkruar një emër tjetër i ndonjë kandidati tjetër.

Dosja në fjalë del si e vetmja nga dy kutitë, pra nga dosjet e të gjithë kandidatëve për vitin 1990-1991 si më sipër, e cila ka të falsifikuar emrin dhe mbiemrin e kandidatit, në këtë rast të kandidatit Aleksandër Lumezi.

Përveç kësaj, në kutinë e dytë, dosja në fjalë ka emrin Aleksandër Lumezi, të shkruar (falsifikuar) në gjuhën serbe, mirëpo në alfabetin latin, ndërkohë që të gjitha dosjet e tjera të kutisë së dytë, pa asnjë përjashtim, janë në gjuhën serbe me alfabet cirilik. Kjo do të thotë se mbështjellësi (formulari) i dosjes së kandidatit Aleksandër Lumezi i takon një personi tjetër.

Kjo vërtetohet nga fakti se mbështjellësi (formulari) i kandidatit Aleksandër Lumezi, me emër të falsifikuar, i fshirë me llak (“tipex”), nuk është si mbështjellësit (formularët) e kutisë së parë dhe as si formularët e kutisë së dytë, sepse është shkruar në gjuhën serbe me alfabet latin.

Krejt kjo, deri këtu, tregon se emri është i shkruar fals, në një mbështjellës (formular) të vjetër, por nga njerëz të ndryshëm me ata që kanë shkruar në serbishten cirilike kur flitet për të dhënat e kandidatëve dhe për ecurinë e dhënies së provimit të jurisprudencës gjatë vitit 1991 nga kutia e dytë.

Kjo shihet qartë nga mbështjellësit (formularët) dhe nga të dhënat e futura në dosjet (procesverbalet) e krejt kandidatëve të kutisë së dytë, ku bën pjesë edhe Alekasandër Lumezi.

Nga dosja (dhe procesverbali), që është me mbështjellës (formular) template (tip apo formular standard), vetëm në gjuhën serbe, por me shkrim latin, thuhet si vijon:

“Republika Srbija

Autonomna Pokrajina Kosovo i Metohija

Pokrajinski Sekretarijat za Pravosudje i Upravu

02 Broj 152-1-217/90

Priština, 27.02.1991 god.

[...] Pred ispitnom komisijom obrazovanom Rešenjem Republičkog Sekretara za Pravosudje br. 152-1/217 od 30.X.1990 godine polagao je pravosudni ispit Aleksander Ljumezi (me dorë e shkruar, vërejtja jonë: E. H.) na radu kod Okružni Sud (me dorë e shkruar, vërejtja jonë: E. H.) Priština.

Polaganje ispita odobreno je rešenjem ovog Sekretarijata br. 152-1-217 od 11.02.1991 godine [...]”.

Në vijim të dosjes së Aleksandër Lumezit përshkruhet më tutje se kandidati në fjalë ka hyrë për herë të parë në provim të jurisprudencës.

Kjo hyrje për herë të parë në provim me shkrim të jurisprudencës ka ndodhur në datat 25 dhe 26 shkurt 1991. Kjo thuhet në faqen e parë të dosjes (procesverbalit) të kandidatit Aleksandër Lumezi.

Kjo hapur bie ndesh me datën 30.X.1990 si më sipër, kur thuhet se ai ka hyrë në provim, sikundër që kjo datë, pra data 30.X.1990 bie ndesh si me datat 26 dhe 26 shkurt 1991, ashtu edhe me datën 11.02.1991, kur thuhet se është lejuar hyrja në provim për kandidatin Aleksandër Lumezi.

Cila është atëherë data e saktë e hyrjes në provim të jurisprudencës (qoftë me shkrim apo me gojë): datat 30.X.1990 dhe 11.02.1991, apo data 25 dhe 26.02.1991, kur thuhet se ka hyrë në provim me shkrim?

Jo vetëm kaq! Në dosje, në faqen dy, ka edhe një datë tjetër: 28.06.1990, kur thuhet se është lejuar provimi me shkrim që duhet të jetë mbajtur më 10 dhe 11.07.1990. Këto data për hyrjen në provim me shkrim, gjithnjë sipas dosjes dhe sipas faqes së njëjtë të kandidatit Aleksandër Lumezi, thuhet se janë lejuar me Aktvendimin 02, nr. 151-186/90, të datës 28 qershor 1990.

Sipas faqes së dytë të dosjes si më sipër të kandidatit Aleksandër Lumezi fare nuk ka datë se kur (dhe nëse) ka hyrë në provimin me gojë.

Në faqen dy të kësaj dosje, rubrika e provimit me gojë është e zbrazët.

Në dosje (dhe në procesverbal) gjenden vetëm pyetjet të cilat gjoja i ka pasur kandidati Aleksandër Lumezi në provimin me shkrim.

Mirëpo, deri sa pyetjet me shkrim, gjoja të parashtruara për kandidatin Aleksandër Lumezi, janë në gjuhën serbe me alfabet latin, në faqen e tretë në gjuhën serbe me alfabet cirilik janë nënshkrimet e katër anëtarëve të Komisionit të jurisprudencës, nënshkrime krejt në gjuhën serbe dhe atë në alfabetin cirilik.

Kështu si Aleksandër Lumezi, megjithatë, nuk i ka dosjet asnjë nga kandidatët (dhe procesverbalet e tyre) nga kutia e dytë, pra nga vitit 1991, sepse të gjithë 140 (njëqind e dyzet) kandidatët e tjerë kanë mbështjellës (formularë) dhe dosje (dhe procesverbale) të plotësuara vetëm në gjuhën serbe me alfabet cirilik (pa asnjë fjalë në gjuhën shqipe).

Kështu nuk ndodh te kutia e parë, e cila të gjitha dosjet (dhe procesverbalet) i ka në gjuhën shqipe dhe në atë serbe, por në gjuhën serbe si gjuhë e dytë, por ekskluzivisht në alfabetin latin.

Pa e dhënë provimin me gojë nuk mund të ketë ligjërisht provim të vlefshëm të jurisprudencës, kurse pa provim të jurisprudencës, siç u tha më sipër, nuk mund të ushtrohet profesioni i avokatit, i gjyqtarit dhe i prokurorit.

Për fund, në faqen e parë në ballinë, në fund të anës së majtë të saj, gjendet rubrika “rok/afati”, që në shqip fjala “rok” e gjuhës serbe (në alfabetin cirilik) do të thotë “afati”. Kjo rubrikë është e zbrazët. Në dosjet e tjera, kjo rubrikë paraqitet e plotësuar dhe tregon se në cilin afat kandidati respektiv ka hyrë dhe ka dhënë provimin e jurisprudencës. Kjo, siç e thashë, nuk ndodh te dosja e Aleksandër Lumezit, në të cilën kjo rubrikë e afatit është krejt e zbrazët.

GJETJET PËRFUNDIMTARE

Vetë Aleksandër Lumezi, në ueb-faqen e PShRKS-së, thotë se ka dhënë provimin e jurisprudencës më 25 prill 1991, kurse nga dosja (dhe procesverbali) i datës 27 shkurt 1991, i përshkruar si më sipër, shihet shumë qartë se ekzistojnë dy data.

Data e parë, në faqen ballore të mbështjellësit (formularit) të dosjes së Aleksandër Lumezit lidhur me provimin, është data 30.X.1990, kurse si datë e dytë janë shënuar datat 25 dhe 26.02.1991.

Data të tjera nuk ka në dosjen në fjalë.

Për më tepër, rubrika rok/afati (fjala rok e shkruar në alfabetin cirilik) është krejt e zbrazët.

Kjo rubrikë ndodhet në secilën dosje, në anën e majtë në fund të faqes ballore të secilit procesverbal.

Datat e fundit nga paragrafi 58, si më sipër, kanë të bëjnë ekskluzivisht me provimin me shkrim dhe me datën e hyrjes në provim me shkrim të kandidatit Aleksandër Lumezi, pra fjala është vetëm datat 25 dhe 26.02.1991.

Data 30.X.1990 ka të bëjë me datën e paraqitjes së provimit të jurisprudencës, gjë që figuron dhe që përshtatet në pikëpamje kohore edhe me shumë kandidatët zë tjerë nga kutia e parë.

Sa i përket provimit me gojë, siç u tha më sipër, në dosje (dhe procesverbal) nuk ka asnjë datë apo të dhënë.

Provimi me gojë, megjithatë, mbahet sipas ligjit (atëherë dhe sot) brenda më së shumti dhjetë ditësh.

Edhe kjo rrethanë, përveç falsifikimit me llak të bardhë (“tipex”) të përshkruar më sipër, dëshmon hapur se Aleksandër Lumezi nuk e ka të dhënë fare provimin e jurisprudencës dhe se data 25 prill 1991, kur ai thotë se e ka dhënë provimin, nuk ekziston askund.

Veç kësaj, formulari mbështjellës i dosjes (dhe procesverbalit) dhe të dhënat e futura aty janë tërësisht të ndryshme nga formulari dhe nga dosjet e kandidatëve të tjerë të kutisë së dytë ku gjendet dosja e Aleksandër Lumezit. Në vulën e pranimit të dosjes (dhe procesverbalit) ka këto të dhëna:

“Datën 17.10.1990

02/152-1-217/90

27.02.1991”

Kjo vulë i vihet të gjitha dosjeve të arkivuara sipas Ligjit mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPA), dje dhe sot. Mirëpo, data e vënies ndryshon dhe tregon për individualitetin e kandidatit.

Dosja e Aleksandër Lumezit mban shenjën e klasifikimit 152, siç e kanë të gjitha të tjerat lidhur me provimin e jurisprudencës, kurse është përpunuar më 09.05. 1991, sikur edhe dosjet e tjera.

Në të kundërtën me shenjën e klasifikimit, 152, ndodhet rubrika e sipërcekur rok/afati (serbisht, në alfabetin cirilik). Kjo rubrikë, siç u konstatua, është e zbrazët, për dallim që te të tjerët figuron qartë afati kur është mbajtur provimi i jurisprudencës.

Mirëpo, më e rëndësishmja dhe që flet për falsifikim është kjo: në gjuhën serbe, në alfabetin cirilik, e përcjellë me gjuhën shqipe nën të, ekziston një shkrim i ndryshëm nga shënimi te kandidatët e tjerë të kutisë së dytë, dhe që është kështu:

“PREDEMT – LËNDA: Aleksandar Ljumezi (me dorë, në gjuhën serbe me alfabet latin, vërejtja jonë: E.H. )”.

Emri, siç e treguam më lart, është i shkruar mbi një emër tjetër, dy herë i fshirë me llak të bardhë (“tipex”), gjë e cila shihet qartë dhe krejt në mënyrë të dukshme nga lartësia se është bërë (fshirë) në mënyrë të paautorizuar.

Menjëherë nën këtë, në serbisht dhe me alfabet cirilik e me shkronja të mëdha është shkruar:

“ZAHTEV ZA POLAGANJE PRAVOSUDNOG ISPITA”. “KËRKESË PËR DHËNIE TË PROVIMIT TË JUDIKATURËS”

Emri Aleksandër Lumezi figuron si i vetmi që është shkruar mbi një emër tjetër me llak të bardhë (“tipex”), që do të thotë se ka një emër tjetër nën të dhe që duket të jetë emër i një serbi.

Ndryshimi është bërë me llak të bardhë (“tipex”) dy herë. Herën e dytë, ndryshimi me llak të bardhë (“tipex”) është bërë në shkronjën e parafundit të emrit Aleksandër, nën të cilin, siç u tha, duket se është një emër i një serbi.

Kjo sepse në gjuhën serbe dhe në gjuhët sllave, pa asnjë përjashtim, emri Aleksandër shkruhet si Aleksandar.

Ky ndryshim nuk është bërë me autorizim ligjor, sepse nuk ka asnjë vendim me të cilin është lejuar një ndryshim i tillë. Çdo ndryshim i një akti zyrtar, sipas ligjit, si dje ashtu dhe sot, duhet ta ketë një vendim ligjor me të cilin autorizohet ligjërisht ndryshimi në një dosje zyrtare.

Dosja e Aleksandër Lumezit, përveç kësaj, është e vetmja nga dy kutitë, pra nga dosjet e të gjithë kandidatëve për vitin 1990-1991 si më sipër, e cila e ka të falsifikuar emrin dhe mbiemrin e kandidatit për provim të jurisprudencës.

Në kutinë e dytë, dosja Aleksandër Lumezi është falsifikuar në gjuhën serbe, mirëpo në alfabetin latin, ndërkohë që të gjitha dosjet e tjera të kutisë së dytë, pa asnjë përjashtim, janë në gjuhën serbe dhe me alfabet cirilik.

Kjo do të thotë se mbështjellësi (formulari) i dosjes së kandidatit Aleksandër Lumezi i takon një personi tjetër, prandaj është falsifikuar.

Kjo vërtetohet nga fakti se mbështjellësi (formulari) i kandidatit Aleksandër Lumezi me emër të falsifikuar, të fshirë me llak të bardhë (“tipex”) nuk është si mbështjellësit (formularët) e kutisë së parë dhe as si formularët e kutisë së dytë, sepse është i shkruar në gjuhën serbe, me alfabet latin.

Krejt kjo, deri këtu, tregon se emri i shkruar është fals, në një mbështjellës (formular) të vjetër por nga njerëz të ndryshëm me ata që kanë shkruar në serbishten cirilike për të dhënat e kandidatëve (dhe për ecurinë e dhënies së provimit të jurisprudencës) gjatë vitit 1991, që gjenden në kutinë e dytë së bashku me Aleksandër Lumezin.

Se kjo është kështu, shihet qartë nga mbështjellësit (formularët) dhe të dhënat e futura në dosjet (procesverbalet) e krejt kandidatëve të kutisë së dytë, ku bën pjesë edhe Aleksandër Lumezi.

Të gjitha këto si më sipër flasin se KPSh i PShRKS-së nuk e ka të dhënë provimin e jurisprudencës në mënyrë të ligjshme, përkatësisht nuk ka pasur asnjëherë një diplomë të vlefshme për ta ushtruar profesionin e vet, sepse nga krejt të dhënat e dosjes (dhe procesverbalit) së tij për provimin e jurisprudencës, të cilat gjenden të ruajtura në Arkivin e Kosovës, shihet qartë se fjala është për të dhëna të cilat janë të falsifikuara.

Prishtinë, më 16 tetor 2017

Përpilues i raportit,

__________________

Prof. dr. Enver Hasani