Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, të mërkurën ka pranuar një donacion prej 4 mijë e 600 librave prej profesorëve, universiteteve dhe bibliotekave të Austrisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Dorëzimin e donacionit të librave e ka bërë ambasadori i Austrisë në Prishtinë, Mag. Gernot Pfandler dhe kontingjenti i KFOR austriak, të cilët kanë bërë bartjen e librave, transmeton Koha.net.
Me këtë rast në emër të UPZ-së dhe Rektorit Vataj, Prorektori Prof. Ass. Dr. Kadri Kryeziu, i dorëzoi një mirënjohje ambasadorit austriak, në shenjë falënderimi për këtë donacion të çmuar për UPZ-në, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se ky është një projekt nga Mag. Martina Drescher, mësimdhënëse në UPZ nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Edukim dhe Hulumtime, Prof. Ass. Dr. Kimete Canaj, shefe e degës së gjuhës gjermane në Fakultetin e Filologjisë dhe Prof. Dr. Izer Maksuti, mësimdhënës në degën e gjuhës gjermane. Profesor Canaj dhe profesor Maksuti janë kuadro të universitete prestigjioze austriake, profesorët e të cilëve në Austri kanë kontribuar në grumbullimin e librave nëpër universitete austriake për UPZ-në.
Librat vijnë nga institucionet ose personat në vijim: Dr. Arnulf Knafl (Shefi i Programit të Korrigjimit) - OeAD - Shërbimi i Shkëmbimit Austriak, Mag. Margit Kreiter - Biblioteka dhe arkivimi i bibliotekës kryesore të Vjenës, Mag. Karin Lach - Drejtor i Departamentit të Studimeve Angleze dhe Amerikane në Universitetin e Vjenës, Prof. Dr. Mag. Hans-Christian Luschützky - Instituti për Gjuhësi Universiteti i Vjenës, Mag. Stefan Alker-Windbichler - Drejtor i Departamentit të Studimeve Gjermane, Studime Holandeze, Studime Skandinave, Universiteti i Vjenës.
-
18 tetor 2017 17:20
-
Shpërndaje në: