Arbëri

Aktakuzë për vjedhje të rrymës ndaj kandidatit të VV-së për Podujevë, Ajet Potera

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Ajet Potera.

Në arsyetimin e Prokurorisë dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet se aktakuza është ngritur pasi që i pandehuri Ajet Potera, më datë 25 qershor, 2016, “me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj, ka vjedhur energjinë elektrike, duke e shpuar kapakun e njehsorit elektrik nga ana e majtë dhe ka penguar punën e tij me ç’rast energjia elektrike e harxhuar nuk është regjistruar, kështu që të dëmtuarit, KEDS-Distrikti Prishtinë, i ka shkaktuar dëm material në lartësi prej 192,15 euro”, raporton Koha.net.

Me këtë rast, Prokuroria thotë se Potera ka kryer veprën penale “Ndryshimi i njehsorit elektrik nga neni 323të kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Më tej, Prokuroria në arsyetimin e saj thotë se pas shqyrtimit të kallëzimit penal dhe analizimit të shkresave të lëndës, “shihet qartë se janë siguruar prova të mjaftueshme me të cilat vërtetohet se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar në diapozitivin e kësaj aktakuze”.

Image
Image