Arbëri

BE-ja shpreh keqardhje për shtyrje të Marrëveshjes për drejtësi, Beogradi hesht

Ndonëse ishte paralajmëruar se sot, në orën 11, gjyqtarë e prokurorë serbë do të bëjnë betimin para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kjo nuk ka ndodhur. Kështu, Marrëveshja e trumbetuar nga shkurti i vitit 2015 për integrimin e gjyqësorit nga veriu në atë të Republikës së Kosovës, mbetet ende vetëm në letër.

Ndërsa presidenti Thaçi ka fajësuar për këtë Beogradin, ky i fundit ende nuk ka reaguar ende.

Por, Bashkimi Evropian ka shfaqur keqardhjen që Marrëveshja për drejtësi nuk është zbatuar në afat kohor.

Zëdhënësja, Maja Kociançiç, ka thënë se i vjen keq që marrëveshja nuk është zbatuar nga pala serbe, e cila ka kërkuar më shumë kohë.

“Prishtina i ka përfunduar obligimet e saj në implementim. Është e rëndësishme që integrimi i gjyqësorit të bëhet, sepse do të ndikojë në respektim të plotë të ligjit në Kosovë e në veçanti në Mitrovicë. Presim përkushtim konstruktiv për zbatim të plotë të marrëveshjeve”, ka thënë Kociançiç, e cila ka shtuar se implementimi i marrëveshjeve ka qenë çdo herë sfidë, por që progresi i Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian është tërësisht i varur nga rezultati i dialogut.

“Prishtina ka përmbushur të gjitha detyrimet rreth zbatimit të kësaj marrëveshje nga Dialogu”, ka thënë Kociançiç.