Arbëri

Fillimi i fundit

Maqedonia duhet të fillojë së ndërtuari një shtet shumetnik dhe të barabartë për maqedonasit dhe shqiptarët – ose, nëse kjo nuk ndodh, kriza aktuale mund të çojë në fillimin e fundit të Maqedonisë

Në krizën aktuale politike Maqedonia gjendet përballë dy opsioneve. E para, të fillojë së ndërtuari një shtet shumetnik e i barabartë për maqedonasit e shqiptarët dhe, e dyta, nëse kjo nuk ndodh, ky do të jetë fillimi i fundit i Maqedonisë.

Kriza disamujore, e cila nisi me skandalin e përgjimeve, po vazhdon ende. Edhe pse fitoi zgjedhjet, VMRO-DPMNE nuk arriti ta krijonte shumicën parlamentare për formimin e qeverisë, shkruan sot “Koha Ditore”. Me Nikola Gruevskin nuk pranuan të hyjnë në koalicion as partitë shqiptare, pa të cilat do të ishte i pamundur krijimi i çfarëdo qeverie të ardhshme maqedonase. Partitë shqiptare - BDI, Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët kanë hartuar platformën, të cilën synojnë ta bëjnë pjesë të programit të qeverisë së ardhshme.

Presidenti Gjorgje Ivanov është kapur pikërisht për këtë platformë duke bllokuar formimin e qeverisë. Edhe pse kërkesa që gjuha shqipe të jetë zyrtare daton që nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, për Ivanovin platforma është cenim i shtetit dhe sovranitetit të Maqedonisë, pasi e njëjta, sipas tij, është hartuar në Tiranë.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka disa ditë që ka deponuar 67 nënshkrime, nga 61 sa duhen për krijimin e qeverisë. Politikanë dhe njohës të rrethanave politike në Maqedoni thonë se refuzimi për t’ia dhënë mandatit Zaevit është i lidhur me krimin e korrupsionin, derisa platforma shqiptare dhe “antishqiptarizmi” po përdoren vetëm si pretekst... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.